Partia Demokratike thotë se Shqipëria është parajsë për pastrimin e parave të pista dhe kjo sipas selisë blu, del qartë edhe në raportet e Uashingtonit në vitet e fundit.

 

Projekti politik i Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin e organizuar e ka shndërruar Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe nga korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes. Imazhi i Shqipërisë është ai i një vendi ku lehtësisht mund të investohen dhe të pastrohen paratë e aktivitetit kriminal. Ky nuk është një konkluzion i Partisë Demokratike, por është gjetje konstante e Departamentit Amerikan të Shtetit. Për 4 vite rresht raportet zyrtare të Uashingtonit e cilësojnë Shqipërinë si “vend kryesor për pastrimin e parave”, për shkak të korrupsionit, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar dhe zbatimit të dobët të ligjit nga qeveria. I njëjti shqetësim është ngritur nga strukturat e specializuara të Këshillit të Europës dhe, së fundmi, edhe nga organizata të huaja që llogarisin se në Tiranë, vetëm në 3 vitet e fundit, janë pastruar rreth 1.6 miliardë euro në sektorin e ndërtimit.

 

Sipas ish deputetit dhe ministrit demokrat Enkelejd Alibeaj, paraja e pistë po mbyt biznesin e ndershëm dhe shtresën e mesme. Ai shtoi se Pd ka një plan konkret për të ndjekur paratë e pista.

 

A po e lufton qeveria fenomenin e pastrimit të parave, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në rrënimin e biznesit të ndershëm, apo që zhvlerëson kursimet e shtresës së mesme me çmime stratosferike artificiale? Në vend që të luftojë pastrimin e parave, qeveria në ikje e Edi Ramës tentoi të bëjë amnisti fiskale për ligjërimin e parave të pista të krimit dhe të korrupsionit të qeveritarëve. Me Partinë Denokratike në krye të qeverisë së vendit nuk do të ketë amnisti fiskale për krimin dhe për pastrimin e parave të pista të pushtetit të korruptuar. Plani ynë “Ndiq paranë” do të jetë një instrument i fortë që në Shqipëri të sundojë ligji, puna e ndersh, në mënyrë që paratë e krimit dhe të korrupsionit qeveritar të mos i zënë frymën ekonomisë së familjeve shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *