Ndikimi rus në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, është bërë kryefjalë e mediave amerikane ditët e fundit.

 

Presidenti i SHBA-s Donald Trump, e ka hedhur poshtë rëndësinë e një ish-ndihmësi të fushatës, i paditur në hetimin e Rusisë, i cili pranoi se e kishte gënjyer FBI-në mbi lidhjet e tij me Kremlinin.

 

Me anë të një postimi në Twitter, Trump e ka cilësuar këshilltarin e politikës së jashtme, George Papadopoulos si një “vullnetar i nivelit të ulët” dhe “gënjeshtar”.

 

Dy ish-ndihmës të tjerë janë akuzuar si pjesë e hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e SHBA. Ish shefi i fushatës, Paul Manafort dhe Rick Gates i mohuan akuzat e ngritura për komplot dhe pastrim parash.

 

Sot shefat ekzekutivë të platformave online dëshmojnë në Kongres për ndikimin e Rusisë ne rrjetet sociale si dhe mbi hapat për të mbrojtur median nga ndërhyrjet gjatë fushatave politike.

 

Facebook sqaroi se 126 milionë përdorues amerikanë mund të kenë parë përmbajtje të shkarkuar nga operativët me bazë në Rusi, dhe se rreth 80,000 postime janë prodhuar para dhe pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 2016. Sipas tyre, origjina e postimeve rezulton te jete  një kompani ruse e lidhur me Kremlinin dhe se ato janë përqendruar në mesazhet politike.

 

Por Rusia ka mohuar vazhdimisht akuzat se u përpoq të ndikonte në zgjedhjet e fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara, në të cilat Donald Trump mundi Hillary Clinton.

 

Presidenti Trump ka hedhur poshtë akuzat për bashkëpunim me Moskën dhe ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që znj Clinton të hetohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *