Subscribe

Agjenti i policisë operacionale, Jeton Lami që akuzohet se ndihmoi të shumëkërkuarin Ervis Martinaj doli këtë të enjte para gjykatës së Kurbinit për t’u njohur me masën e sigurisë.

 

Gjyqi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ndërsa 28-vjeçari nuk pranoi të fliste për akuzat e ngritura. Nga ana e tjetër, prokurori Bardhyl Shehu kërkoi “arrest me burg” për efektivin.

 

Pasi u njoh me qëndrimet e palëve, gjykata vendosi të konfirmoi akuzën e prokurorisë. Vendim ky që u kundërshtua nga avokati mbrojtës.

 

 

GENTIAN ROMANO – AVOKAT

 

 “Qëndrimi ynë ishte vetëm në lidhje me kushtet e masës së sigurisë. E konsideroj të papërshtatshme që të qëndrojë në burg, do ankimohet. Janë rrethana të paqarta derisa të sqarohen gjatë hetimit”.

 

28-vjeçari Jeton Lami akuzohet për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

 

Nga hetimet e kryera, prokuroria e Kurbinit ka konstatuar se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka përkrahur dhe transportuar me makinë Ervis Martinajn, i cili u shpall në kërkim pas dëshmisë së dhënë nga Nuredin Dumani.

 

Punonjësi i policisë u zbulua pas denoncimit të bërë nga familjarët e Ervis Martinajt të cilët pretendojnë se kanë humbur çdo kontakt me të.

 

Hetuesit konstatuan se Lami e ka shoqëruar Martinajn me makinë gjatë muajit gusht në një hotel në Durrës dhe ishte kthyer një ditë më pas për ta marrë sërish.

 

Efektivi ishte zbuluar nga kamerat e sigurisë të biznesit.

 

Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK. Martinaj, sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, e kishte paguar këtë të fundit për të vrarë Indrit Doklen.

 

Por fati i tij nuk dihet, kjo pasi pak javë më parë xhaxhi i Martinajt denoncoi në polici zhdukjen e tij. Kjo bëri që policia të nisë edhe një procedim tjetër me dyshimin se i shumëkërkuari mund  të jetë eliminuar nga bandat rivale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *