Subscribe

Ndeshjet eliminatore për kampionatin e ardhshëm evropian, kombëtarja jonë e futbollit do ketë mundësi t’i luajë në një shtëpi të re. Pas “Elbasan Arena”, prej disa javësh ka nisur puna intensive për ndërtimin e impiantit më të madh të futbollit shqiptar në Tiranë ato të Arenës Kombëtare. Kryeministri Rama, Kryebashkiaku Veliaj dhe Ministrja e Kulturës Kumbaro, inspektuan punimet. Në fjalën e tij, kryeministri Rama e cilësoi projektin e stadiumit të ri si një nga veprat më të mira dhe moderne që do të ketë Shqipëria.

“Shikojmë me kënaqësi se po avancon me shpejtësi të madhe, siç është në fakt, në filozofinë e Bashkisë së re të Tiranës, ky projekt historik që do t’i kthejë në fakt Tiranës një vlerë të jashtëzakonshme përmes një investimi të jashtëzakonshëm, duke bërë të mundur që në vend të ngrehinës së vjetër, ku as futboll në nivel ndërkombëtar nuk luhej dot, por as për qytetarët nuk ofrohej asgjë. Një stadium nesër ndër më të bukurit e Europës, një hapësirë urbane dhe publike ndër më të bukurat, në mos më e bukura e Tiranës së shekullit të ri, dhe një përgjigje e merituar për të gjithë ata që nuk dinë asgjë tjetër përveçse të ngrenë gishtin e akuzës nga kafenetë ose nga kafja e madhe e pazarit të thashethemeve. Unë jam shumë krenar që ky projekt vjen vërtet në një kohë që përkon me shembullin e jashtëzakonshëm që kombëtarja u dha të gjithëve, se çfarë është në fakt, për një popull, për një shoqëri, për një vend si i yni, sporti dhe suksesi në sport.”

Ndërkohë që, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi rëndësinë që i është dhënë zhvillimit të sportit në vendin tonë, duke përmendur këtu një sërë investimesh të rëndësishme të karakterit sportiv në territorin e Bashkisë së Tiranës.

“Ne kemi avancuar jashtëzakonisht me procesin e çmontimit, 70 % është kryer, besoj se brenda javës përfundon ky proçes. Është ndoshta mënyra më e mirë për të pritur Kombëtaren kur të kthehet me përgatitjet për projektin e ri. Besoj se jo vetëm 24 muaj, por ndoshta edhe më shpejt, do të kemi mundësi që të kemi një fushë komplet të re”, “Përveçse ka një tempull të futbollit, që besoj vjen në momentin më të mirë, qyteti do përfitojë 4 sheshe publike, që momentalisht nuk i ka, në secilën prej anëve, veri-jug-lindje-perëndim, që do të jenë për përdorim publik gjatë gjithë ditëve që nuk ka ndeshje. Jemi sot në një proces vendim-marrje, ku si parkingu përpara, si parkingu mbrapa, kthehen në 2 parkingje nëntokësore.”

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se projekti ruan dhe respekton historinë kulturore dhe sportive të stadiumit “Qemal Stafa”, pasi ruan pjesën e fasadës, e cila integrohet në projektin e ri.

“Jemi përballë fasadës në të cilën kemi pikërisht pjesën e konsideruar si monument kulture nga vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve. Kemi bashkëpunuar me studion e arkitektëve të cilëve iu është bashkuar ekspertiza e Palazzo Spinelli-t. E reja është që në rezultatin e fundit që do të vijë të prezantohet para KKR-së javën që vjen, fasada do të ruhet siç është, jo vetëm do të ruhet por do të jetë pamja ballore e stadiumit dhe do të jetë edhe funksionale për të shërbyer për të njëjtin funksion hyrës siç ka shërbyer gjithë këto vite. Ne kemi ruajtur këtë projekt, e konservojmë të plotë dhe e risjellim në projektin e ri kështu siç është.”

Stadiumi “Arena Kombëtare” është parashikuar të ketë një kapacitet prej 22.500 spektatorë, Stadiumi do të jetë i kategorisë 4 maksimale, sipas standardeve të UEFA-s  dhe punimet pritet të përfundojnë brenda 24 muajsh. Arena Kombëtare do të ruajë pjesën ballore të stadiumit ekzistues, e cila është shpallur Monument Kulture.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *