Subscribe

Moti i keq dhe reshjet e shiut kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë pothuajse në të gjitha rrethet e vendit. Kompania e Shpërndarjes së Energjisë njofton se 82 linja janë prishur, ndërkohë që ka aktivizuar 1800 punonjës për riparimin e tyre. Pavarësisht angazhimit të OSHEE-së, era e fortë dhe terreni malor në shumë fshatra të vendit ka vështirësuar punën, duke bërë deri tani të pamundur rikthimin e energjisë. Si pasoje e reshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimeve atmosferike kane mbetur pa drita zona e zall bastarit, Saukut, Gjokajt, Prezës dhe Yzberishtit në Tiranë. Në Durrës ka ndërprerje të energjisë te ura Gjolës, Bishtpallë, Xhavzotaj, Spitallë, Kënetë, Hamallaj, dhe Golem. Po ashtu ndërprerje ka në Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, Kukës, Burrel, Shkodër dhe Gjirokastër. OSHEE bën me dije se të gjitha linjat të cilat furnizojnë hidrovoret, spitalet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë janë në punë, dhe nuk kanë pësuar defekte. Grupet janë në terren dhe në gatishmëri për të shkuar dhe riparuar defektet që mund të ndodhin. Sikur të mos mjaftonin telashet me motin e keq, Kompania e Shpërndarjes ka shkarkuar nga puna 78 punonjës. Abuzimi me detyrën dhe bashkëpunimi me pasojë vjedhjen e kompanisë dhe abonentëve ka detyruar OSHEE-në që të marrë këto masa ndaj punonjësve të saj. Kompania ka nisur edhe kallëzimin penal në prokurori për 5 vet: katër punonin në Tirane dhe i pesti ne Shkodër. Deri tani nuk ka asnjë shifër për dëmin financiar të shkaktuar, por kompania është duke mbyllur gjithë auditin që ka bërë në këto sektorë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *