Nderimet e fundit për policin, përcillet efektivi i “Shqiponjave”, vijojnë kërkimet për vrasësin

Efektivi i policisë Novruz Cenalia i cili u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz të Fierit pas një konflikti të çastit me 23 vjeçarin Azgan Mernica u përcoll këtë të mërkurë për në banesën e fundit.
Në hollin e teatrit Bylis në Fier u vendos arkmorti ku u mbajtën homazhe nga familjarët, kolegët dhe qytetarë të shumtë të cilët i bënë nderimet e fundit.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit si dhe drejtues të pushtetit lokal morën pjesë në ceremoninë e përcjelljes së policit të shqiponjave Novruz Cenaliaj.
Ndërkohë dy ditë pas ngjarjes, autori i kësaj vrasje Azgan Mernica është ende në arrati dhe i armatosur.
Forcat e policisë, forcat speciale Renea kanë vijuar kërkimet për gjetjen e vrasësit duke kontrolluar disa banesa në fshatrat rreth Fierit. Por kontrollet janë shtrirë edhe në disa qytete të jugut të vendit. /vizionplus.tv




