Aksioni i nisur në bashkitë e vendit nga kryeministri, për punët lokale vlerësohet nga ekspertët si një lëvizje, që ka më shumë sens protagonizmi me impakt te qytetarët. Por lëvizja e tij me kërkesa për shkarkime drejtorësh është tërësisht antikushtetuese.
“Duket se po i shijon ndërhyrja që po bën në çështjet lokale, pasi po kthehet në stilin e tij, i cili ka qenë për tre mandate kryetar bashkie. Por unë kryeministrin e vendit tim nuk dua ta shoh si kryetar komunal, por dua ta shoh të merret me çështje kombëtare rajonale ku përfitues janë të gjithë dhe jo vetëm disa bashki. Ndaj jam kundër kësaj ndërhyrje”, tha gjatë një interviste Agron Haxhimali, kryetar i institutit për bashkitë e Shqipërisë.
Sipas Haxhimalit, kjo lëvizje bie ndesh me shumë parime e standarde europiane, por mbi të gjitha dobëson shumë rolin dhe figurën e të zgjedhurve vendor.
“Dëmi i madh që presim nga lëvizje të tilla është që prishin balancat mes pushteteve, prishim rregullat kushtetuese, standardet e marrëdhënieve ndërinstitucionale. Ndërhyjmë në demokracinë lokale. Bie autoriteti i të zgjedhjeve vendorë, duket se shpëtimi nuk vjen nga i zgjedhuri, por nga më lartë se ai. Nuk mund të mos respektohet pesha e autoriteteve. Në këtë arkitekturë secili ka peshën vet. Kjo dëmton të tërë sistemin”, sqaroi Haxhimali
Por a ka ndonjë element pozitiv ndërhyrja e kryeministrit në punët vendore?
“Shikoj si element pozitiv në këtë spektakël që është i këndshëm… ai absorbohet nga qytetarët për faktin sepse në realitetet mungojnë ato shërbime, ka probleme me hapësirat publike dhe jo vetëm. Ndërhyrje të tillë e shkundin, e nxisin dhe e vënë në pozita pune pushtetin vendor. Për qytetarët duket të jetë pozitive, por për mua përplasja e pushteteve të një niveli kaq të ulët administrativ nuk ka kuptim për një vend demokratik që po shkon drejt BE-së”, tha Hazhimali.
Prej disa ditësh, kryeministri në një tur që ka nisur në disa njësi vendore ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të bashkive pasi sipas tij kanë neglizhuar në ofrimin e shërbimeve për qytetarët./vizionplus.tv





