Realiteti i tregut të punës në Shqipëri, sipas ekspertëve, tregon një ndarje të qartë mes burrave dhe grave, jo vetëm në llojin e punës që kryejnë, por edhe në përfitimet që marrin prej saj.
“Në Shqipëri ne vazhdojmë të vuajmë: punë për burra, punë për gra. Ky quhet segregim profesional.
Zakonisht, punët për burra sjellin më shumë fitim se punët për gra. Kjo vjen për shkak se, jo vetëm që ka një veçim të sektorëve, por ka dhe ngarkesë të tepërt të grave me atë që quhet punë e papaguar në shtëpi, që kërkon një angazhim më të madh të burrave në përkujdesje që të arrihet një barazi efektive mes gjinive.
Vuajmë akoma nga indeksi gjinor i pagave. Jo se kemi akoma punë të njëjta që paguhen ndryshe – kjo nuk lejohet – por diskriminimi qëndron në faktin se ngarkesa e punës së papaguar në shtëpi i detyron gratë që të mos qëndrojnë në punë që i angazhojnë me projekte pas pune.”, shprehet Merita Poni sociologe.
Përtej strukturës së tregut të punës, mënyra si organizohet jeta familjare ndikon drejtpërdrejt në mundësitë ekonomike mes burrave dhe grave.
“Pajtojnë kohën e punës me kohën e përkujdesit, gjë që në fund të vitit, kur krahasohet zarfi sa ka fituar secili, del që zarfi i gruas është më i hollë 30% se zarfi i burrit. Gratë shqiptare kanë një ngarkesë kaq të madhe brenda familjes, saqë harxhojnë pothuajse një turn të plotë brenda shtëpisë, ndërsa burrat shumë më pak.”
Për 2024-ën, Shqipëria u rendit në vendin e 23-të në botë për barazinë gjinore, duke pësuar një rënie me 6 vende krahasuar me vitin paraardhës.
/vizionplus.tv