Tre amerikanë rrëmbejnë çmimin Nobel në Mjekësi për vitin 2017. Jeffrey Hall, Michael Rosbash dhe Michael Young u nderuan për zbulimet e mekanizmave molekularë që kontrollojnë orën e brendshme biologjike, që njihet ndryshe si ritmi cirkadik.
Komisioni i Çmimit Nobel tha se laureatët e këtij viti arritën të identifikojnë një gen që kontrollon ritmin biologjik të një dite normale.
Ata demonstruan se ky gen kodon një proteinë që grumbullohet në qelizë gjatë natës dhe pastaj shpërbëhet gjatë ditës.
Ritmet cirkadike përshtatin fiziologjinë e njeriut gjatë fazave të ndryshme të ditës, duke ndikuar te gjumi, sjellja, niveli i hormoneve, temperatura e trupit dhe metabolizmi.
Mjekësia çel serine e çmimeve qe jepen nga akademi e Nobelit. Ato për fizikë, kimi, letërsi dhe paqe do të shpallen nga e marta deri të premten, ndërsa çmimi për ekonominë të hënën, më 9 tetor. Akademia e Suedisë e mban sërish të fshehtë listën e kandidatëve, duke u dhënë mundësi kritikëve të spekulojnë pa kufi. Në mesin e shumë emrave përmendet shpesh edhe Ismail Kadare.
Por rrethet letrare të Stockholm-it bien dakord për një gjë: Akademia do të bëjë zgjedhje konservative, pas zgjedhjes së legjendës së muzikës pop dhe kompozitorit Bob Dylan qe habiti jo pak botën.





