Mbreti Harald V i Norvegjisë, monarku më i vjetër në detyrë në Evropë, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, njoftoi të premten Pallati Mbretëror.
“Me trishtim të thellë njoftojmë se Madhëria e Tij, Mbreti Harald, ndërroi jetë sot. Mbreti Harald u nda nga jeta paqësisht në Spitalin Universitar të Oslos, të premten, më 28 gusht, në orën 06:35”, thuhet në njoftimin e pallatit.
Flamuri në Pallatin Mbretëror në Oslo u ul në gjysmështizë, ndërsa qytetarë të shumtë u mblodhën jashtë për të vendosur lule dhe për t’i bërë homazhe mbretit.
Harald kishte qëndruar i shtruar në spital që prej 17 gushtit për shkak të anemisë hemolitike, një gjendje në të cilën qelizat e kuqe të gjakut shkatërrohen më shpejt nga sa organizmi arrin t’i zëvendësojë. Më pas, ai zhvilloi edhe një infeksion bakterial në gjak.
Familjarët e mbretit nxituan pranë shtratit të tij të enjten, pasi Pallati Mbretëror njoftoi se gjendja e tij ishte bërë “jashtëzakonisht e rëndë”. Princi i Kurorës Haakon raportohet se qëndroi pranë të atit gjatë natës.
Harald u ngjit në fron në vitin 1991. Gjatë viteve të fundit ai u përball me disa probleme shëndetësore dhe kishte vendosur një stimulues kardiak. Megjithatë, ai kishte deklaruar vazhdimisht se nuk do të hiqte dorë nga froni, duke iu referuar betimit që kishte bërë përpara parlamentit.
Qytetarët që kanë dalë për t’i bërë homazhe e kanë përshkruar Haraldin si një mbret të ngrohtë dhe gjithëpërfshirës, i cili kishte kontribuar në bashkimin e shoqërisë norvegjeze.
Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre anuloi gjithashtu një udhëtim të planifikuar në Gjermani, ndërsa gjendja shëndetësore e mbretit ishte përkeqësuar.
/vizionplus.tv





