“Letërsia është gjithçka për mua, është jeta ime.” Nën këto rreshta, me të njëjtën dashuri për letërsinë, si në ditën e parë kur nisi të jetësonte gërmat mbi letër, mbylli sytë përgjithnjë kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare.
Ndarja nga jeta, në moshën 88-vjeçare e gjeniut të letrave ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne. Gjendja e tij shëndetësore kishte nisur të përkeqësohej vetëm një ditë më parë, ishin familjarët ata që e nisën kadarenë drejtë QSUT, por fatkeqësisht pa shenja jete pasi shkrimtari kishte pësuar arrest kardiak.
Lexo edhe :
Related Posts
Jo vetëm letërsia i dha çdo gjë shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Ai me letërsinë e tij i dhanë jehonë shqipërisë së vogël në arenën ndërkombëtare.
Proza ishte pika e tij e fortë, por jo pak dha kontribut me penën e artë në poezi, dramaturgji dhe përkthime. shkrimet e tij të para nisën kur ishte ende i ri, fillimisht pak rreshta poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë duke u bërë prozatori kryesor shqiptar dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Ishte vetëm 23 vjeç kur shkroi romanin e parë “Qyteti pa reklama”, për të vijuar më pas me “Gjeneralin i ushtrisë së vdekur”, vepër që do ta prezantonte emrin e Kadaresë edhe jashtë kufijve. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësuesi kryesor i letërsisë shqipe në botë.
Jeta e tij u nda mes Shqipërisë dhe Francës. Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria drejt Parisit, ndërsa nuk ndaloi së shkruari kryevepra.
Kronikë në gur, Pallati ëndrrave, Kështjella, Ura me tre harqe, Prilli i thyer, Dimri i vetmisë së madhe, Kush e solli Doruntinën, Darka e gabuar, Përbindëshi etj., libri me poezi “Ca pika shiu ranë mbi qelq” etj.janë disa prej trashëgimive që Kadare i la përgjithmonë shqipërisë shqiptarëve dhe kujtdo që do të vijojë të lexojë krijimtarinë e tij.
Ismail Kadare ishte laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. “Poet të Ballkanit, rapsod të Evropës” do ta cilësonte presidenti francez Emmanuel Macron, shkrimtarin Ismail Kadare, ku i dorëzoi dekoratën më të lartë të republikës së Francës “Oficer i madh i legjionit të nderit” me një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave, në tetor të vitit të kaluar.
Që nga viti 1994 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave. Në 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”, në 2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjoze letrare në botë. Ismail kadare doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas. Është nominuar 15 herë për çmimin “Nobel” në letërsi.
Vitet 1990 e bënë shkrimtarin një nga personalitetet më të kërkuar nga të dyja partitë kryesore politike në vend, për t’u bërë president konsensual i Shqipërisë, post ky që u refuzua nga shkrimtari.
Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekujve 20 dhe 21, dhe si një zë universal kundër totalitarizmit.
Ismail Kadare u lind më 28 janar 1936 në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës. Ai ishte i martuar autoren Helena Kadare dhe baba i dy vajzave. Në vitin 2023 i është dhënë shtetësia e Kosovës. /vizionplus.tv