Ka ndërruar jetë Ish-senatori amerikan Joe Lieberman, i cili ishte shumë pranë postit të Nënpresidentin kur kandidoi me demokratin Al Gore në zgjedhjet e vitit 2000.

Sipas një deklarate të lëshuar nga familja e tij, Lieberman vdiq në New York të mërkurën për shkak të komplikimeve nga një rrëzim. Ai ishte 82 vjeç. Demokrati shpesh herë kishte votuar kundër qëndrimeve të partisë.

Me kalimin e kohës ai u largua nga Partia Demokrate, duke u bërë Senator i pavarur. Kjo dhe kritikat e tij ndaj kandidatit demokrat për President Barak Obama, gjatë garës zgjedhore të vitit 2008, zemëruan jo pak demokratë. Megjithatë, mbështetja e tij për të drejtat e komunitetit LGBTI, të drejtat civile, të drejtat e abortit dhe mbrojtja e mjedisit, i siguruan atij vlerësimin e shumë liberalëve përgjatë viteve.

Zoti Lieberman ishte shumë pranë postit të Nënpresidentit në garën presidenciale të vitit 2000 që u përcaktua nga një diferencë prej 537 votash në favor të republikanit George W. Bush në Florida. Kjo u bë pas një rinumërimi votash, sfidave ligjore dhe një vendimi të Gjykatës së Lartë. Ai ishte amerikani i parë hebre në garën presidenciale si kandidat i një partie të madhe.

Zoti Lieberman shkaktoi polemika në vitin 1998 kur qortoi Presidentin Bill Clinton, mikun e tij prej shumë vitesh, për “sjellje të turpshme”, në një fjalim në Senat, kur skandali mbi marrëdhënien e Presidentit me Monica Lewinskin kishte arritur kulmin. Megjithatë, Senatori Lieberman më vonë votoi kundër ngritjes së akuzave për shkarkimin e Presidentit Clinton.

Zoti Lieberman kërkoi emërimin e partisë për president në vitin 2004, por u tërhoq pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e brendshme. Katër vjet më vonë, ndërsa ishte politikan i pavarur, ai ishte emri kryesor për t’u zgjedhur si kandidat për nënpresident për kandidatin republikan për President, Senatorin John McCain. Ai dhe zoti McCain ishin miq të ngushtë që ndanin pikëpamje të ngjashme mbi çështjet ushtarake dhe të sigurisë kombëtare.

Zoti McCain ishte i prirur të zgjidhte zotin Lieberman për të kandiduar së bashku në zgjedhjet presidenciale ndërsa po afrohej kuvendi i Partisë Republikane i vitit 2008. Ai zgjodhi guvernatoren e atëhershme të Alaskës, Sarah Palin në minutën e fundit pas kritikave të ashpra nga konservatorët mbi qëndrimet liberale të zotit Lieberman, sipas Steve Schmidt, i cili menaxhoi fushatën e Senatorit McCain.

Ai e mbrojti vendimin për largimin nga Partia Demokrate si një çështje ndërgjegjeje, duke thënë se ai gjithmonë kishte për zemër interesat më të mira të votuesve të shtetit prej nga vinte, Konektikat. Kritikët e akuzuan atë për ndjekjen e interesit të ngushtë vetjak.

Në njoftimin për largimin e tij nga Senati, në vitin 2013, zoti Lieberman pranoi se ai “nuk përshtatej gjithmonë me qëndrimet partiake” dhe ndjeu se përgjegjësia e tij e parë ishte t’u shërbente zgjedhësve të tij, shtetit dhe vendit, jo partisë së tij politike.

Gjatë fjalimit të tij të fundit në Senat, zoti Lieberman i kërkoi Kongresit të shikonte përtej ndasive partiake, për të tejkaluar bllokimet në Uashington.

“Duhet shikuar në anën tjetër për të gjetur partnerë nga pala e kundërt” tha Senatori Lieberman. “Kjo është ajo që nevojitet tej mase në Uashington”.

Harry Reid, i cili shërbeu si udhëheqës i demokratëve në Senat, ishte shprehur se megjithëse nuk ishte gjithmonë dakord me Libermanin, ai e respektonte atë.

“Pavarësisht nga dallimet tona, unë kurrë nuk kam dyshuar në parimet e Joe Liebermanit apo patriotizmin e tij”, tha zoti Reid. “Unë e respektoj brezin e tij të pavarur, pasi buron nga bindjet e forta”./ VOA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *