Subscribe

Në fund të këtij viti, nuk do të ketë më një kompani e cila bën shpërndarjen e energjisë, por dy të tilla. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, do të funksionojë me dy ndërmarrje më vete: Njëra do të merret me tregtimin e energjisë dhe tjetra me shpërndarjen e saj.
Në një intervistë për Vizion Plus, zv/Ministri i Energjisë Ilir Bejtja, thotë se ndarja e tyre, do të sjellë një rritje të kompanisë, pasi njëra do të angazhohet për fitimin dhe tregtimin e energjisë e tjetra për investimin në rrjet. Por zv/ministri thotë se kjo ndarje nuk po bëhet për të privatizuar një pjesë të kompanisë. Deri tani thotë ai, nuk ka asnjë ofertë të pakërkuar për kompaninë OSHEE. Të njëjtën ndarje Ministria e Energjisë, do të bëjë dhe për kompaninë shtetërore Albpetrol, e cila do të ndahet në pjesën e prodhimit e shitjes së naftës dhe gazit. Pas rimarrjes së paketës së aksioneve të OSHEE, që dikur i përkiste çekëve të CEZ, qeveria është shprehur se privatizimi i ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë ishte i gabuar, pasi nuk duheshin privatizuar asetet dhe pajisjet që shpërndanin energjinë, por vetëm pjesa tregtare e saj. Nëse kjo ndarje e kompanisë është një hap drejt riprivatizimit të saj, kjo nuk dihet ende. Megjithatë, ministria është e vendosur që përpara se ta privatizojë të rritë performancën e kompanisë dhe të bëjë shlyerjen e borxheve, qe arrijnë ne total rreth 300 milionë dollarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *