Kendrick Lamar dhe Beyoncé janë triumfuesit e ceremonisë së ndarjes së çmimeve më të rëndësishme në botën e muzikës, Grammy 2025.
Reperi fitoi çmimet për këngën dhe albumin e vitit me “Not Like Us”, duke marrë në shtëpi nderimet kryesore të mbrëmjes si “Rekordi i Vitit”, “Performanca më e Mirë Rap”, “Kënga më e Mirë Rap” dhe “Videoklipi më i Mirë”.
“Këtë vlerësim ia kushtojmë këtij qyteti,” tha Lamar, duke dërguar fjalët e tij më të përzemërta për Los Angeles-in, i cili prej disa javësh është përfshirë nga zjarre shkatërrimtare.
Beyoncé është emri i dytë që triumfoi në ndarjen e çmimeve Grammy, me plot 11 nominime. Këngëtarja rëmbeu kurorën për “Albumin më të Mirë të Vitit”, si dhe “Albumin më të Mirë Country”. Beyoncé ka qenë e nominuar në këtë kategori katër herë më parë, ndërsa me këtë çmim bëri histori, pasi u bë këngëtarja e parë me ngjyrë që fitoi në këtë kategori.
Mes artistëve të tjerë fitues u dalluan edhe Chappell Roan, e cila rrëmbeu çmimin për “Artistin më të Mirë të Ri”. Lady Gaga dhe Bruno Mars u vlerësuan me “Performanca më e Mirë Pop Duo” për “Die With a Smile”.
“Short n’ Sweet” e 25-vjeçares Sabrina Carpenter është votuar Albumi më i Mirë Pop i Vitit. Po ashtu, edhe Vincent dhe Charli XCX morën në shtëpi një mori çmimesh.
Edhe Shakira u bë fituese e çmimit për “Albumin më të Mirë të Popit Latin”.
Ndërkohë, Taylor Swift u largua duarbosh nga ceremonia, pasi këtë vit emri i saj nuk u përmend për asnjë çmim.
Çmimet Grammy janë të njohura gjithashtu për stilet unike dhe modën ekstravagante, ku të gjithë të ftuarit kërkojnë të “rrëmbejnë” vëmendjen apo të japin mesazhe përmes veshjeve të tyre.
Ajo që ra në sy ishte modelja australiane Bianca Censori, bashkëshortja e artistit Kanye West, duke bërë një nga daljet e saj më provokuese publike në tapetin e kuq. Fillimisht, modelja u shfaq me një pallto të zezë që i mbulonte të gjithë trupin, dhe sapo 30-vjeçarja arriti para fotografëve, ajo e hoqi atë dhe u shfaq totalisht nudo. Ky veprim nxiti reagimin e menjëhershëm të organizatorëve, të cilët kërkuan largimin e çiftit nga eventi.
Edhe këtë vit mbizotëroi ngjyra e zezë, e cila është parë shpesh në ceremonitë e fundit të çmimeve dhe u përqafua nga të gjithë, duke nisur nga Miley Cyrus deri te Olivia Rodrigo. Lady Gaga vendosi të shfaqej më serioze me një fustan të gjatë me mëngë të gjata, ndërsa disa të ftuar u shfaqën disi më thjesht.
Ceremonia e 67-të e Çmimeve Grammy u mbajt në Los Angeles, duke bashkuar emrat më të mëdhenj të skenës muzikore botërore dhe duke nderuar artistët që spikatën në vitin e kaluar.





