Udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalny është dërguar në një burg jashtë Moskës për të vuajtur dënimin, tha avokati i tij të enjten, një veprim që vjen pavarësisht një kërkese për lirimin e tij nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati Navalnyt, Vadim Kobzev nuk njoftoi menjëherë emrin e burgut ku u dërgua Navalny. Agjencitë ruse të lajmeve kanë njoftuar më parë se Navalni, i cili është mbajtur në një burg të sigurisë maksimale në Moskë, mund të dërgohej në një burg në Rusinë perëndimore.

Alexey Navalny, 44 vjeç, kundërshtari më i zëshëm i Presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua më 17 janar kur po kthehej nga Gjermania, ku kaloi pesë muaj duke u rikuperuar nga një helmim me agjentë nervorë për të cilin ai e ka fajësuar Kremlinin. Autoritetet ruse e kanë hedhur poshtë akuzën dhe e kanë akuzuar zotin Navalni për bashkëpunim me agjencitë perëndimore të zbulimit, pretendime që ai i ka quajtur qesharake.

Në fillim të këtij muaji, Navalny u dënua me 2.5 vjet burg për shkeljen e dënimit me kusht, ndërsa po shërohej në Gjermani. Dënimi ishte pjesë e akuzave për përvetësim parash të ngritura në 2014 që Navalny i ka quajtur të sajuara, dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) e ka quajtur të paligjshëm vendimin e gjykatës ruse për këtë çështje.

Arrestimi i Navalnyt ka nxitur një valë protestash nga dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Rusinë. Autoritetet kanë arrestuar rreth 11,000 njerëz, shumë prej të cilëve u gjobitën ose u burgosën me nga shtatë deri në 15 ditë.

Zyrtarët rusë kanë hedhur poshtë kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të liruar Navalnyn dhe për të ndalur shtypjen e mbështetësve të tij.

Moska gjithashtu hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila citonte rrezikun për jetën e Navalniy në burg në thirrjen e saj për lirimin e tij nga qeveria ruse. Kremlini e ka quajtur kërkesën e gjykatës evropiane një ndërhyrje të paligjshme dhe “të papranueshme” në punët e brendshme të Rusisë.

Më parë këtë javë, ministrat e jashtëm të BE-së ranë dakord të vendosnin sanksione të reja kundër zyrtarëve rusë të lidhur me burgimin e Navalnit./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *