Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, njoftoi se do ta përfundojë grevën e tij të urisë.

Përmes një postimi në Instagram, Navalny tha se shëndeti i tij është i përkeqësuar dhe se po vazhdon të kërkojë që ai të kontrollohet nga mjekët e tij personalë.

Më 22 prill, mjekët i thanë atij se duhet ta përfundojë grevën e urisë.

Navalny, 44-vjeç, tha se do të duhen 24 ditë për t’u kthyer gradualisht në një rutinë normale të ngrënies. Ai e filloi grevën e urisë më 31 mars duke kërkuar trajtim shëndetësor nga mjekët jasht burgut.

Mjeku personal i Navalnyt, kreu i sindikatës së Aleancës së Mjekëve të Rusisë dhe tre mjekë të tjerë, përfshirë një kardiolog, thanë në një letër për Shërbimi Penal Federal të Rusisë se gjendja e tij ishte përkeqësuar me shpejtësi dhe se ai mund të pësonte infarkt “në çdo minutë”.

Vendimi për të ndërprerë grevën e urisë vjen dy ditë pasi mijëra rusë anëmbanë Rusisë iu bashkuan protestave duke kërkuar që Navalny të marrë trajtimin e duhur mjekësor.

Protesta u thirr nga Fondacioni Kundër Korrupsionit, që e udhëheq Navalny (FBK). Autoritetet ruse kanë filluar procedurat për mbylljen e tij.

Më shumë se 1.700 persona u arrestuan gjatë protestave. Organizata Amnesty International ka thënë se kjo paraqet “goditje tronditëse të lirive themelore”. Policia arrestoi të paktën 10 gazetarë në lidhje me mbulimin e protestave, sipas vëzhguesve të lirisë së medias.

Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas sulmin me agjent helmues në Siberi. Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor kimik – Noviçok – ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Kremlini ka mohuar çdo rol në helmim.

Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që ndërsa ishte në Gjermani, Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një lëndë e vjetër gjyqësore.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë lidhur me çështjen Navalnyt dhe goditjen e qeverisë ndaj demonstruesve në fillim të këtij viti në tubimet që kundërshtuan arrestimit e Navalnyt./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *