Diskutohen ndihmat për Ukrainën, ministrat e Jashtëm të NATO-s mblidhen në Pragë

Ministrat e jashtëm të NATO-s takohen sot në Pragë . Në fokus të diskutimeve është ndihma e re ushtarake për Ukrainën, e propozuar nga sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
Kjo paketë pritet të miratohet gjatë muajit korrik në Uashington. Për shkak të paqartësisë rreth përkrahjes amerikane ndaj Ukrainës në të ardhmen, në rast të zgjedhjes së Donald Trump si president, sekretari Stoltenberg ka propozuar që ndihma ushtarake të jetë e përcaktuar për një afat më të gjatë kohor, krahas një zotimi shumëvjeçar financiar.
Por shtetet anëtare të aleancës kanë qasje të ndryshme përsa i përket këtij plani dhe ministrat do të përpiqen të përafrojnë qëndrimet në këto dy ditë gjatë takimeve joformale. Ndërkohë në një intervistë për një gazete spanjolle shefi i aleancës veriatlantike ka ripërsëritur se Ukraina ka të drejtë që të vetëmbrohet.
“Rusia pushtoi Ukrainën në shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe, sipas kësaj, ukrainasit kanë të drejtë të mbrohen. Nëse rusët kanë liri të plotë për të grumbulluar trupa dhe për të sulmuar nga territori i tyre, por ukrainasit nuk mund të përgjigjen, është shumë e vështirë të ushtrosh vetëmbrojtje”, tha Stoltenberg.
Ndërsa ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov ka leshuar një kërcënim për Perëndimin.
“Megjithatë, ne shpresojmë që stërvitjet ruso-bjelloruse mbi përdorimin e armëve bërthamore që janë duke u zhvilluar tani do ti bëj kundërshtarët tanë të kuptojnë pasojat katastrofike të përshkallëzimit të mëtejshëm bërthamor”, tha ai.
Po ashtu Lavrov theksoi se Kina mund të organizoj një konferencë paqeje mes dy vendeve dhe një veprim i tillë do të ishte një vazhdim i përpjekjeve të Pekinit për të zgjidhur krizën. Shefi i diplomacisë ruse deklaroi se një zgjidhje politike mes dy vendeve mund të gjendet nëse Perëndimi ndalon së furnizuari me armë Ukrainën. /vizionplus.tv




