Subscribe

Ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor është i trazuar, shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati kërkon angazhim më të madh të NATO-s për të mos lejuar ndikimin e aktorëve të tretë, që do të frenonin proceset integruese në këtë rajon. Megjithëse nuk e përmendi konkretisht, shefi i diplomacisë shqiptare kishte parasysh  Rusinë. Bushati ndodhej në Bruksel në takimin e vendeve anëtare të Aleancës.

 

Ditmir Bushati: Ne kërkuam angazhim të ripërtërirë të NATO-s ne vendet e Ballkanit Perëndimor për të stabilizuar situatën atje dhe për t’u mbyllur shtigjet aktorëve të tretë, që stimulojnë aleanca antireformë për të penguar dhe frenuar rrugëtimin e tyre europian.

 

Bushati kërkoi edhe bashkërendim më të mirë mës NATO-s e BE-së për ecurinë e reformave në vendet e rajonit.

 

Ministri i Jashtëm në takim shprehu mbështetjen e vendit tonë për një angazhim të rritur të aleancës në luftën kundër terrorizmit, ndërsa evidentoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe kontributin e saj në disa misione.

 

Zhvillimet e fundit në rajon dhe përkeqësimi i mjedisit të sigurisë ishin disa prej temave të trajtuara edhe në takimet që Bushati pati me homologët grek e turk, Kotzias dhe Çaushoglu. Gjatë qëndrimit në Bruksel, Bushati zhvilloi një takim me komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, me të cilin biseduan për rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, veçanërisht për ligjin e vettingut, si elementi thelbësor drejt çeljes së bisedimeve për anëtarësim me BE-në.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *