Rreth 5300 ushtarë nga dhjetë shtete të NATO-s kanë nisur një manovër të madhe ushtarake në Lituani. Me manovrën “Iron Wolf 2017” (Ujku i hekurt) do të verifikohet gatishmëria për mision e batalioneve të NATO-s të stacionuara në këtë shtet baltik. Këtë e bëri të ditur ministria e Mbrojtjes në Vilnius.

 

Njësia luftarake multinacionale për të forcuar krahun lindor të NATO-s dhe për ta frikësuar Rusinë drejtohet nga Forcat e Armatosura Gjermane, Bundeswehr. Gjermaninë e mbështesin shtetet e Beneluksit dhe Norvegjia. Manovra që do të zgjasë deri në 23 qershor, sipas të dhënave të ushtrisë do të kryhet në tri rajone të Lituanisë.

 

Krahas trupave të batalionit të NATO-s, në manovër marrin pjesë edhe ushtarë nga SHBA, Britania e Madhe, Polonia dhe Portugalia. Me këtë manovër synohet të ushtrohen misione të ndryshme dhe koordinimi midis njësive. Ushtarët stërviten edhe që të mbrojnë të ashtuquajturin “Boshllëk-Suvalki”, i cili konsiderohet si thembra e Akilit e krahut lindor të NATO-s. Me këtë kihet parasysh një brez toke me një gjatësi prej rreth 65 km midis Polonisë dhe Lituanisë – e kufizuar nga enklava ruse Kaliningrad në Perëndim dhe Bjellorusia në Lindje. Në një rast lufte, sipas mendimit të ekspertëve, Rusia mund të jetë në gjendje që ta mbyllë me trupat e saj zonën kufitare me të njëjtin emër në Verilindje të Polonisë, shkruan Deutsche Welle.

 

Shtetet Baltike janë të shqetësuara për sigurinë e tyre për shkak të vazhdimit të konfliktit të Ukrainës. Për ta frikësuar Rusinë, që prej vitit 2014 SHBA kanë zhvendosur atje me një sistem rotacioni trupa të tyre. Edhe NATO-ja e ka përforcuar praninë e saj. Lituania dhe Letonia do ta rrisin deri në vitin 2018 buxhetin e tyre ushtarak në dy përqind të Produktit të Brendshëm Bruto. Estonia bën pjesë që tani në të paktat shtete të NATO-s, shpenzimet e mbrojtjes të së cilës e arrijnë vlerën e kërkuar nga NATO.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *