Pas tensioneve të djeshme të krijuara nga grupe serbësh dhe përleshjes së tyre me ushtarët e KFOR-it, sidomos në Zveçan, nata në veri të vendit ka kaluar e qetë.

 

Pranë ndërtesave të Komunave në Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ka prani të pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtje të rendit, raporton KosovaPress.

 

Serbët kanë paralajmëruar protesta të përditshme duke kundërshtuar kështu prezencën e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale, si dhe tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

 

 

Edhe pse protestat në tre komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë paralajmëruar për sot nga ora 7:00 e mëngjesit, deri në kohën kur po raportojmë vërehet dalje simbolike e qytetarëve.

 

Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.

 

Kujtojmë se dje protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *