Nata e dytë e spektaklit “Albania’s Got Talent”, që transmetohet në ekranin e Vizion Plus, solli një mbrëmje plot emocione, energji dhe surpriza. Konkurrentë nga mbarë trojet shqiptare u ngjitën në skenë për të treguar talentin e tyre, ndërsa juria dhe publiku përjetuan një tjetër mbrëmje të jashtëzakonshme.
Muzikë e zgjedhur, tinguj instrumentesh, akrobaci, balet, numra shpejtësie, ishte kjo panorama e mbrëmjes së dytë, ku grupmosha të ndryshme guxuan të shpalosnin talentin e tyre para katër anëtarëve të jurisë.
Dymbëdhjetë talentet e kësaj nate kërkuan me ngulm të rrëmbenin “po-të” e Agron Llakajt, Ledina Çelos, Adelina Ismajlit dhe Kastro Zizos. Shumë prej tyre ja dolën të merrnin gjithashtu dhe mbështetjen e publikut në sallë por dhe përtej ekranit.
Energjia e pashtershme e talenteve u spikat që në nisje ku grupi “Future steps” elektrizoi skenënë, të ndjekur nga zëri melodioz i Luta Toskës, elasticiteti i Enxhit dhe Megan, apo bateristi i vogël Geart Nazifi .
Komentet mbështetëse si dhe trajtimi njerëzor i talenteve ishte përtej konkurrencës për ta siguruar një vend na gjysmëfinale. Juria edhe këtë puntatë u tregua e drejtpërdrejtë dhe e hapur në opinionet e dhëna.
Arti ishte sërish kryefjala e talenteve që interpretuan, ndaj dhe mesazhet e përcjella kalonin përtej ndjenjave njerëzore. E tillë ishte edhe prania e gjeniut të datave Lart Alikaj në skenën e Albania’s Got Talent.
Ky prodhim i Vizion Plus synon jo vetëm të zbulojë talentet më të spikatura të vendit, por edhe të frymëzojë secilin prej konkurrentëve që besojnë në ëndrrat e tyre.
Magjia e spektaklit “Albania’s got talent” vazhdon. Të tjerë konkurrentë do të prezantohen të hënën e ardhshme. Ndaj për të mos humbur surprizat që vetëm ky spektakël dhuron, ju lë takim sërish javën tjetër në orën 21.00.
/vizionplus.tv





