Subscribe

Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Malin e Zi, ku tre shqiptarë u dhunuan nga disa persona për arsye që ende nuk dihen.

Viktima të dhunës ishin Klodian Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi. Dhunuesit dyshohet se ishin me origjinë serbe.

Lexo edhe :

Related Posts

Ndërkohë, Policia e Shtetit sqaroi se tre shqiptarët u dhunuan në Mal të Zi rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit.

Shqiptarët ishin duke lëvizur  me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht të rinjtë , duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.

Të dhunuarit u paraqitën më pas në policinë lokale për ndihmë dhe janë trajtuar fillimisht nga ana e mjekut ligjor, ku janë konstatuar dëmtimet e rënda në trupat e tyre.

Policia malazeze u kërkoi atyre të bënin denoncim, por të frikësuar, ata nuk kanë pranuar të bëjnë një gjë të tillë, deri në mbërritjen e një avokati shqiptar.

Një prej të rinjve që ishte viktimë e dhunës, Klodian Meaj tha se në makinën me të cilën udhëtonin të rinjtë ka pasur një flamur shqiptar, më konkretisht në pasqyrën e mjetit.

Sipas tij kjo mund të jetë bërë arsyeja pse të rinjtë janë dhunuar nga grupi i dyshuar serb.

“Ne ishim ulur nga trageti dhe morëm makinën tonë. Vijuam rrugën pa probleme deri në qytetin e Malit të Zi Herceg Novi. Aty për një moment ndaluam sepse kishim një problem me makinën. Sapo kemi ndaluar një grup personash kanë ardhur dhe kanë goditur automjetin në të cilin ndodheshin. Dolëm jashtë sepse nuk po kuptonim çfarë po ndodhte dhe na goditën edhe ne duke na dhunuar fizikisht pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye. Ne ishim duke komunikuar më zë fare të ulët brenda makinës dhe nuk kishte asnjë shkak, asnjë provokim nga ana jonë. Sapo dolëm nga makina na goditën edhe ne dhe më pas u larguan.

Unë në automjet kam një flamur shqiptar në pasqyrë, është një flamur i vogël. Nuk e di nëse është kjo arsyeja pasi automjeti është me targa gjermane dhe jo shqiptare”, rrëfeu ai.

Ndërkohë, Doris Kopaçi tregoi se nuk pati asnjë provokim nga ana e tyre dhe se grupi i serbëve i ndaloi në rrugë dhe i goditi në kokë dhe në trup.

Pas ngjarjes së rëndë reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Ballla.  Ai nisi kontaktet me homologët në Malin e Zi për të marrë informacione mbi rastin.

“Jam falënderues për reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe Policisë së Malit të Zi në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj tre të rinjve shqiptarë në zonën e Herceg Novit. Një hetim i plotë është duke u kryer dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Balla në rrjetin social X gjatë mbrëmjes.

Ndërkohë, homologu i tij malazez, Danilo Šaranović, u shpreh më pas se ngjarja po hetohet me intensitet.

“Djemtë janë mirë, do t’ju informoj për gjithçka. Kolegët e mi po bëjnë gjithçka për të hetuar ngjarjen sa më shpejt të jetë e mundur. Gjëja më e rëndësishme është që djemtë janë mirë”, tha ai

Nuk mungoi as reagimi i kryeministrit të Malit të Zi, i cili bëri me dije se një prej autorëve të dhunës ishte identifikuar.

“Më vjen shumë keq për ngjarjen e sotme që i ndodhi të ftuarve tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, theksoi Spajiç.

Ndërkohë, ambasada shqiptare në Mal të Zi tha mbrëmjën e djeshme se kishte siguruar avokat mbrojtës për tre shqiptarët e dhunuar barbarisht në Herceg Novi. Në një reagim thuhej se ambasada  ka kërkuar nga autoritetet përkatëse zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *