Siguria e fëmijëve në shkolla është kthyer në një shqetësim të përditshëm për prindërit. Rastet e bullizmit, dhuna dhe tensionet kanë shtyrë dhjetëra prej tyre të reagojnë. Përmes një peticioni publik, prindërit kërkojnë masa për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve të tyre brenda ambienteve shkollore. Nismëtarja e këtij peticioni, sociologia Marsi Simo, e përshkruan situatën aktuale në shkolla si një alarm që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
“Përpara se ta nisja, i parashtrova cilat janë kërkesat më emergjente për arsimin sot, cilat janë gjërat që ne duhet të kërkojmë Ministrisë së Arsimit.
Është më e vështirë, sepse fëmijët, nxënësit, janë shumë të vështirë, vinë nga diversitete kulturash, vinë nga diversitete stresash ekonomike me problematika që më përpara nuk haseshin, por ama metodikat janë të njëjta. Mënyra se si zgjidhen problemet është e njëjtë. Mënyra e reagimit të mësuesve, trajnimi i tyre, niveli i tyre i aftësive kanë mbetur në të njëjtin standard. Dhe kjo nuk duhet të thotë që faj apo peshë do t’i mbetet shkollës. Edhe ky peticion nuk duhet të thotë që ne, prindërit, i kemi bërë çdo gjë, edhe po i mëshojmë shkollës. Por institucionit mund t’i kërkojmë. Shkolla përmes lëndës, mësuesve dhe gjithë instrumenteve mund të bëjë disa gjëra të cilat janë të unifikuara”, sociologe, Marsi Simo.
Por çfarë synon konkretisht kjo nismë?
Peticioni, mes të tjerash, kërkon rritjen e sigurisë fizike dhe një monitorim më të fortë të rasteve problematike, me qëllim krijimin e një mjedisi më të qetë.
“Dhe fëmijët sot, jo vetëm që kanë më shumë problematika dhe kanë më tepër edhe probleme të shëndetit mendor, shqetësime të ndryshme, po flasim sot për ankth dhe panik që në moshën 8 vjeç, 9 vjeç, gjë që më përpara nuk kanë qenë. Dhe jo vetëm përsa i përket shëndetit të fëmijëve, por gjithashtu edhe të mësuesve, duhet parë, rishtikuar dhe patur në vëmendje.”
Deri më tani, mbi 1.000 prindër e kanë firmosur peticionin. Hapi i radhës pritet të jetë dërgimi i tij në Ministrinë e Arsimit.
/vizionplus.tv





