Subscribe

Vendimi për heqjen e konkursit në specialitetin e mjekësisë së familjes dhe atë të urgjencës, riktheu edhe njëherë në vëmendje krizën me të cilën po përballet sistemi shëndetësor, kryesisht në kujdesin parësor.

“Për nevojat e mëdha që ka sistemi ynë shëndetësor, i ka punësuar këta mjekë, dhe ne tashmë jemi në fazën që na duhen politika të qëndrueshme për një shërbim cilësor. Pra, një mjek i përgjithshëm nuk i ka kompetencat për të trajtuar të gjitha problematikat nga një fëmijë i vogël deri tek të moshuarit”,  shprehet Qamil Doka, pedagog në Universitetin e Mjekësisë.

Ndoshta shembulli i Kosovës do të ndihmonte në rritjen e interesit për mjekësinë e familjes.

“Duhet të shoqërohet me masa të tjera nga ana e ministrisë së shëndetësisë dhe qeverisë shqiptare në mënyrë që këta mjekë të specializuar tashmë në mjekësinë e familjes, të paguhen njësoj si mjekët e tjerë specialistë. të paktën do të jemi në nivelin e sistemit shëndetësor të Kosovës i cili këtë vendim e ka marrë”,  thotë ai.

Ndërkohë nevoja për mjekë urgjence jo vetëm në spitalet qendrore në Tiranë, por sidomos në rrethe, në spitalet bashkiake dhe ato rajonale, është gjithashtu e lartë.

“Tendenca aktuale është qendërzimi i të gjithëve në Tiranë dhe kjo është e padiskutueshme. Por politika të caktuara duhet të kenë në fokus shpërndarjen e burimeve njerëzore sipas kërkesave”,  shprehet Doka.

Por si është përballja e një mjeku të sapodiplomuar me kushtet e punës në sistemin parësor? Joni Mreça, mjek i përgjithshëm në qendrën shëndetësore nr,1 në Shkodër, është kthyer pas 10 viteve studime në Turqi.

“Ndoshta nuk është e mjaftueshme për momentin, nuk mund të krahasohemi me vendet e Europës apo me Turqinë, por le të themi që është gjendje e mirë, mund të jetë edhe më mirë. Nga ana ekonomike, sidomos për pacientët, ilaçet e rimbursuara, ndihma shoqërore, pacienti sorollatet sa andej këndej, këtu ende mendohet nëse një ilaç i caktuar gjendet apo jo në farmaci, por mendoj se po bëhet progres”,  thotë mjeku Joni Merça.

Shqipëria është vendi i fundit në rajon sa i takon numrit të mjekëve në raport me popullsinë dhe ndërkohë vijon të përballet me largimin e bluzave të bardha drejt vendeve të Bashkimit Evropian. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *