Mungesa për kombëtaren kuqezi/ Karantina pengon futbollistët t’i bashkohen skuadrës
Kombëtarja Shqiptare ka filluar përgatitjet për dy sfidat përballë Kazakistanit dhe Lituanisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Mesditën e kësaj të marte, dy lojtarët e kombëtarës Myrto Uzuni dhe Marash Kumbulla dolën në konferencë për shtyp ku folën për vështirësinë e dy ndeshjeve dhe sezonin e suksesshëm që po kalojnë.
Kumbulla nuk la pa përmendur dhe transferimin tek Roma të cilin e konsideron si një hap shumë të rëndësishëm në karrierë.
MARASH KUMBULLA
FUTBOLLIST
”Jam shumë i kënaqur për këtë hap, kam shkuar në një klub me histori në Itali. Ndoshta më ndihmon me kombëtaren. Trajneri është ai që vendos. Me rëndësi është që kombëtarja të luajë mirë dhe të ruajë rezultate. Nuk është vetëm problem i mbrojtjes, është problem i repartit mbron i gjithë ekipi. Do përmirësohemi në të gjitha repartet në vazhdim.”
Nga ana tjetër Myrto Uzuni dëshiron që suksesin që po kalon tek skuadra e tij Ferenvaroshi ta transmetojë dhe tek kombëtarja shqiptare
MYRTO UZUNI
FUTBOLLIST
”Normalisht kam shënuar dy gola më shumë vlerë për ekipin tim te Ferencvaroshi. Por tani është koha për kombëtaren dhe duhet të mendojmë të bëjmë sa më mirë këtu, së bashku me grupin. Normalisht kur vjen te Kombëtarja është një ndjesi e veçantë, pasi për çdo futbollist është diçka më e mirë për atë, golat më japin motivim dhe shtysë për të vazhduar përpara. Me trajnerin Reja, më uroi për golat dhe paraqitjet pasi ata shikojnë gjithçka. Forca më vjen nga sakrificat që kam kaluar, pasi vlerësoj çdo ndeshje dhe stërvitje sikur të ishte e fundit për mua.”
Pas anulimit të miqësores me Armeninë, teknikut Edi Reja iu refuzuan dhe ftesat e disa prej lojtarëve nga klubi ku ata ndodhen. Kjo për shkak se në disa vende është funksional rregulli i 14 ditëve karantinë kur vjen nga një shtet që konsiderohet zonë e kuqe. Kështu Etrit Berisha, Ylber Ramadani, Florian Kamberi, Lindon Selahi, Klaus Gjasula, Xhakomo Vrioni dhe Jon Mersinaj nuk janë lejuar të bashkohen me kombëtaren për ndeshjet ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë.
Mungesë e rëndësishme pritet të jetë dhe ajo e Thomas Strakoshës, i cili është bashkuar me skuadrën, por ka shfaqur probleme fizike dhe nuk do jetë i gatshëm për Rejën, teksa në vend të tij dhe Berishës vijnë Alban Hoxha dhe Gentian Selmani.




