Besnik Muçi ka vendosur që t’ia besojë vlefshmërinë e mandatit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese vetë Gjykatës Kushtetuese.

 

Pas shkarkimit nga detyra nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Muçi I është drejtuar me një letër Kushtetuteses ku shprehet se vendimi lidhur me shkarkimin nga detyra si anëtar I Kushtetueses nuk është mbështetur në asnjë referencë ligjore.

 

“Konstatoj që pjesa urdhëruese e këtij vendimi lidhur me shkarkimit nga detyra si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk është e mbështetur në asnjë referencë ligjore ose kushtetuese. Nga viti 2008 deri më datë 18 tetor 2019 kam mbajtur detyrën e Prokurorit pranë Gjykatës së Shkallës për Krimet e Rënda. Më datë 15.11.2019 jam dekretuar Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe kam bërë betimin para Presidentit të Republikës më datë 18.11.2019. Bazuar në nenin 130 të Kushtetutës, i cili parashikon se: “Qenia si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër…shtetërore…” , dhe në nenin 64/b të Ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se: “Statusi i magjistratit mbaron në rastet kur: b) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit…” statusi im i Prokurorit rezulton se ka përfunduar që prej datës 18 tetor 2019, moment ky kur unë kam filluar të ushtroj detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.”

 

Deri në marrjen e këtij vendimi, Muçi thotë se do të përmbushë të gjitha detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore.

 

“Pavarësisht sa më sipër, me qëllim për të ruajtur integritetin tim dhe të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, lidhur me çështjen administrative të ushtrimit të detyrës, jam në pritje të njoftimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deklarimin ose jo të mbarimit të mandatit tim si Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përmbushje të detyrimeve të nenit 127 të Kushtetutës dhe nenit 9 të ligjit Nr. 8577, datë 10.02.2000 në një afat sa më të shpejtë të mundur. Deri në marrjen e këtij vendimi, ju njoftoj se do të përmbush të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe ligjore.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *