Largimi nga kjo botë e komentatorit dhe gazetarit sportiv në vendin tonë, Kosta Grillo, ka shkaktuar një dhimbje të madhe te familjarët dhe të dashurit e tij.

Së fundmi, e motra e gazetarit, Ani Grillo, përmes një postimi në rrjetet sociale kujton 55 ditët e torturës në shtratin e spitalit. Ajo shkruan me dhimbje se i jepte kurajo dhe forcë gazetarit çdo ditë të mundshme se do ta kalonte të gjithë këtë dhe do ta kujtonin si një ëndërr të keqe.

Me ikjen e tij, Ani shkruan me dhimbje se tani ajo mbeti vetëm.

“Mami të mori me vete, se të kishte pikën e dobët i dashur Kosta. Nuk e kisha menduar kurrë që do ndaheshim kaq shpejt. Shikoja ëndërra me sy hapur se si do t’i ngrysnim ditët e netët bashkë në të ardhmen. Të kisha premtuar që do iknim bashkë nga ky spital ku të solla me duart e mia me shpresë se do ja dilnim. 55 ditë përpjekje. Nuk e mbajta fjalën e tani më ke lënë vetëm me kujtimet e atyre orëve e ditëve që kaluam bashkë. Kur do ikim me pyesje çdo ditë, Kur? Nuk po më shërojnë o Ani. E unë besoja që ti do ia dilje mbanë, sepse njerëzit si ty me atë zemër e shpirt të gjerë, me atë zgjuarsi e humor janë të rrallë në këtë tokë. Forca të thoja, je himariot kockëfortë e nuk dorëzohesh ti, do ja dalim e do ikim. Çdo ditë, çdo ditë të njëjtat fjalë. Forca, je i fortë, me buzëqesh e ti me buzëqeshje e më shikoje thellë në sy sikur doje të vërtetoje fjalët e mia. Na presin të gjithë të thoja, djemtë e miqtë që luteshin për ty për një shërim sa më të shpejtë. Çfarë të them tani? Më fal që nuk të ndihmova ashtu si të kisha premtuar që do ktheheshim bashkë në Tiranë me këmbët tona? Do kthehemi, por me një ndryshim këmbët do t’i mbajmë në Vuno, tek mami e babi. O Kostë të thoja, hajde se do shërohesh e do ta kujtojmë si një ëndërr të keqe. Na ke lënë shurdh. Nuk qeshim e as nuk flasim pa u bërë mirë ti. Lëviz o ma lutesha përnatë. Eja të ndihmosh e të shërosh djalin. Ma more njeriun e vetëm që më kishte mbetur. Ma more vëllain më keni lënë vetëm”, shkruan ajo.

Pas infektimit nga Covid, Grillo po trajtohej në spital në Tiranë dhe pasi gjendja e tij u përkeqësua ai u nis drejt Turqisë, për trajtim më të specializuar ku edhe ka ndërruar jetë. Ai udhëtoi drejt Turqisë në datën 12 gusht, e ndërsa që prej 27 gushtit ndodhej në terapi intesive, në gjendje të rëndë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *