NATO vendos 300 mijë trupa në gjendje gatishmërie në një kohë që tensionet me Rusinë janë rritur. Sipas gazetës britanike “Daily Mail”, rreziku i një sulmi ndaj perëndimit, e ka detyruar shefin e Aleancës së Atlantikut Verior të bëjë një gjë të tillë. Jens Stoltenberg ndonëse nuk përmendi shifra, deklaroi për “The Times” se NATO po përgjigjet me përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë, për shkak të propagandës që po bën Rusia në Europë dhe mes aleatëve të NATO-s. Rusia sipas tij ka qenë shumë më aktive në shumë mënyra, përmes rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes, zhvillimin e kapaciteteve të reja ushtarake, stërvitjeve dhe përdorimit të forcës ushtarake kundër fqinjëve. Shumë vende anëtare të NATO-s i kishin shkurtuar në mënyrë të ndjeshme shpenzimet në fushën e mbrojtjes që pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik ne vitin 1991, por Rusia ka shtuar kapacitetet ushtarake me parada ku marrin pjesë 100 mijë trupa çdo vit. Shteteve anëtare të NATO-s si Estonia, Polonia dhe Rumania, që po ndjejnë se kërcënimi nga Moska po rritet, u është premtuar vendosja e një force të ndërhyrjes së shpejtë. Raportet mes NATO-s dhe Rusisë janë përkeqësuar gjatë vitit të fundit, veçanërisht pas mbështetjes, që Moska i ka ofruar presidentit sirian Bashar Al Assad. Muajin e kaluar NATO njoftoi se 4 mijë trupa do të stacionohen në kufirin rus me vendet balltike, në atë qe ishte konsideruar grumbullimi më i madh i forcave ushtarake që nga Lufta e Ftohtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *