Subscribe

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Dino u shpreh se simptomat e koronavirusit janë të ngjashme me ato të gripit, ndërsa theksoi se qytetarët mund të qëndrojnë edhe në vetëkarantinë me udhëzues nga ISHP.

 

Bino konfirmoi se nuk ka asnjë rast të identifikuar me koronavirus në Shqipëria. Ajo refuzoi ta tregojë vendndodhjen e spitalit karantinë, me argumentin se nuk duhet të shqetësohen banorët e zonë afër spitalit në fjalë.

 

“Nëse kemi një kontakt të një sëmuri, sipas elementëve që përcaktohen nga një ekip të specializuarish, ai futet në një karantinë në shtëpi, apo më tej në një karantinë të përcaktuar mirë, një strukturë spitalore që përmbush kushte të mira dhe që i përkasin një karantine. Do të thotë që ky person të izolohet në mënyrë që mos të ketë kontakt me të tjerët, dhe të ketë kushtet e tij. Prandaj është përzgjedhur një spital. Nëse do të ketë shumë raste janë përzgjedhur edhe struktura që i plotësojnë këto kushte. Kemi përcaktuar rregullat se si do të bëhet qoftë karantinimi në shtëpi, që është i kontrolluar nga mjekë, qoftë edhe karantina spitalore. Nëse është në vetëkarantinë, ka një udhëzues se si do të qëndrojë në vetëkarantinë. Udhëzimet mund t’i gjeni në faqen zyrtare të ISHP dhe të Ministrisë së Shëndetësisë. Është normale që njerëzit të kenë frikë, por paniku vret më tjetër. Unë nuk e di pse ajo është zbrazur, ajo nuk është qendra që kemi përcaktuar si qendër shtesë për karantinë.”

 

Po ashtu, Dino tha se dyndja nëpër urgjenca duhet të shmanget duke kontaktuar fillimisht me mjekun e familjes.

 

“Numri i gjelbër: 127 numri i urgjencës kombëtarë, është një ekip i trajnuar. Ka shërbim roje 24 orë, nëpërmjet këtij numri merren shqetësimet e qytetarëve, marrja e mostrës, sigurimi i transportit. Absolutisht, mjekët e familjes janë të informuar. Po vazhdojmë të informojmë, në lidhje me masat, me përkufizimin e rastit, sipas BE-së. Të gjitha këto janë elemente që po plotësohen. Nuk duhet të dyndemi nëpër urgjenca. Është e rëndësishme të kontaktohet me telefon mjeku i familjes, 127, të përpiqemi mos të dyndim urgjencat. Nuk e them emrin e spitalit ku është karantinë, sepse do shqetësojë popullatën e asaj zone. Në momentin përkatës këtë gjë do ta merrni vesh. Kini pak besim tek ne tek strukturat, edhe tek mua që po flas, se po e ndjejmë veten shumë keq të dyshuar në çdo gjë që bëjmë, jam shumë e sinqertë në ato që them, dhe nuk mund të flas për gjëra që nuk i bëjmë, nuk e bëj kurrë”, porositi ekspertja e ISHP-së gjatë një deklarate për mediat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *