Subscribe

Inspektori i Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Ilir Kapetani do të qëndrojë në masën e sigurisë burg pa afat deri në përfundim të hetimeve me vendim të Gjykatës së Posaçme.

 

Sipas SPAK hetimet kanë zgjatur për një periudhë 1 vjeçare dhe prej tyre janë dokumentuar të paktën 14 raste kur Kapetani ka përfituar shuma parash në mënyrë antiligjore duke iu premtuar qytetarëve se do të kompensoheshin për pronat e tyre, gjë e cila nuk ka ndodhur.

 

Madje, SPAK pas sekuestrimit të aparatit celular të zyrtarit ka dyshime se Kapetani ka konsumar veprën penale të korrupsionit jo vetëm në 14 raste të provuara, por edhe më tepër.

 

Në dosjen hetimore të siguruar nga Vizion Plus, tregohet sesi Kapetani në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar shumë të ndryshme parash një qytetari nga Korça, të cilit i kishte premtuar se do t’i kthente një gjysmën të pronës dhe do ta kompensonte për gjysmën tjetër. Në kallëzimin penal që është bërë pikërisht nga ky person thuhet se Kapetani i ka marrë rreth 1 milionë e gjysëm lekë përmes një skeme duke i premtuar se do të fliste me eprorët e tij. Më pas zyrtari i ka kërkuar para në vlera të ndryshme edhe 4 herë të tjera, një skemë kjo e aplikuar në vazhdimësi për shumë individë.

 

Por jo vetëm kaq, burime pranë prokurorisë kanë konfirmuar se shumat e parave arrijnë deri në 3 milionë lekë të vjetra.

 

Ndërkohë, gjykata vendosi masa më të lehta sigurie për 9 qytetarët që dyshohet se kanë korruptuar zyrtarin, Kapetani. Për 2 prej tyre u caktua masa e arrestit në shtëpi, për 6 detyrim paraqitje ndërsa një gruaje i është ndaluar dalja nga shteti shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *