Subscribe

Doli para gjykatës së Lezhës këtë të enjte për t’u njohur me masën e sigurisë 17-vjeçari, i cili vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin e tij, Lek Lekgjonaj.

 

Seanca e cila nisi rreth orës 11:15 u zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa trupi gjykues pasi u njoh me pretendimet e palëve vendosi ta leje ne burg Florian Pervathin.

 

Ndaj adoleshentit prokuroria kishte ngritur tre akuza, atë të: “vrasjes për gjakmarrje”, “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve të gjuetie dhe sportive”.

 

Sipas dosjes hetimore, I riu pranoi autorësinë e krimit para hetuesve duke thënë se i mori hakun të atit. Ishte vet 17-vjeçari i cili pasi ekzekutoi 65-vjeçarin, Lek Lekgjonaj u paraqit në policinë e Lezhës dhe i traumatizuar e në gjendje të rënduar psikologjike rrëfeu ngjarjen.

 

Nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se viktima ishte qëlluar me gjashtë plumba. Gjatë kontrollit të banesës së të miturit policia gjeti dhe një armë gjahu.

 

Vrasja ndodhi mesditën e të hënës në fshatin Manati, teksa 65-vjeçari ishte në oborrin e banesës. Konflikti mes dy familjeve e ka zanafillën në vitin 2009, kur vëllai i viktimës, Ndue Lekgjonaj vrau babain e autorit, Gjon Përvathin. Në të njëjtën ditë nëna e 17-vjeçarit u helmua dhe i dha fund jetës. Kjo gjë bëri që i mituri të rritet jetim.

 

Ndërkohë Ndue Lekgjonaj, i cili ndodhet jashtë shtetit, u dënua aso kohe për krimin me 10 vite burg nga të cilat kreu vetëm 7 për shkak të gjykimit të shkurtuar. Drejtësia e cunguar dhe dogma kanunore ndikuan në formimin e adoleshentit, i cili u përfshi në sagën e gjakmarrjes mes dy familjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *