Subscribe

Përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini, në funksion të perspektivës së qartë të Bashkimit Evropian që ka Ballkani Perëndimor, është takuar mbrëmjen e së dielës me drejtuesit e partnerëve të rajonit.

 

Në këtë takim përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe përfaqësuesit nga rajoni rishikuan përparimin thelbësor të arritur deri tani, si dhe detyrat për të ardhmen.

 

Ata shprehën mbështetje për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se ky vendim është thelbësor jo vetëm për të dy vendet në fjalë, por për të gjithë rajonin dhe për Bashkimin Europian.

 

Të gjithë  mbështetën vazhdimin e dialogut Serbi-Kosovë dhe përfundimin e shpejtë të një marrëveshje juridikisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

 

Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan angazhimin e tyre të fortë për perspektivën e BE-së, duke theksuar se puna për reformat vazhdon, ashtu si dhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

 

Gjithashtu në fjalën e saj përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritetin e tyre me Shqipërinë për goditjet nga një seri tërmetesh të forta këtë fundjavë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *