Ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia i ka uruar shërim të shpejtë mjekut të infektuar me COVID-19, i cili ndodhet në intubim.

Duke marrë shkas nga ky rast, demokrati i drejtohet ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që t’iu përgjigjet kërkesave të stafit shëndetësor për testime. Sipas tij,  ka shumë denoncime nga kolegë si në strukturat publike, edhe ato private që “nuk u vihet veshi”.

Ai pohoi se injorimi i personave të infektuar me virus ndihmon në përhapjen e virusit.

“DUHET KEPUTUR ZINXHIRI I INFEKSIONIT COVID NE QSUT! I uroj shërim të shpejtë kolegut hematolog që po lufton me Covid-19 në spitalin infektiv. U shpreh solidaritetin të gjithë anëtarëve të personelit shëndetësor, që punon në kushte pasigurie nga infektimi me virusin Korona. Nëse kolegët duhet të rrisin vëmendjen në të përditshmen e tyre, ministrja e shëndetësisë duhet t’u përgjigjet kërkesave të tyre për testime, sepse ka shumë denoncime nga kolegë si në strukturat publike, edhe ato private që nuk u vihet veshi. Bërja e tamponëve si qokë është skandaloze dhe kriminale, sepse injorimi i personave të infektuar, ndihmon në përhapjen e virusit.”

Sipas Spahisë, QSUT është kthyer në një vatër të nxehtë përhapje të virusit dhe për këtë bën përgjegjës  Ministrinë e Shëndetësisë, ku iu bën thirrje që të këpusin zinxhirin e infeksionit në këtë qendër spitalore.

“Nuk mund të kursehen tamponët për ata që kanë nevojë!!! Është kriminale se si akoma sot, 4 muaj mbas fillimit te emergjences është zero investimi për rritjen e kapaciteteve testuese, asnjë investim për një laborator të ri, asnjë investim për sigurimin e numrit të mjaftueshëm të testeve, asnjë investim për garantimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët apo sigurimin e maskave të mjaftueshme për qytetarët shqiptarë. Me 7 shërbime të infektuara, QSUT është kthyer në një vatër të nxehtë përhapje të virusit dhe përgjegjës nuk janë qytetarët, por vetë ministria e shëndetësisë që po menaxhon këtë situatë! Reagoni zonja ministre, merrni masat që të këpusni zinxhirin e infeksionit në QSUT, sepse është i pafalshëm infektimi i personelit mjekësor, por edhe i pacientëve në një strukturë shëndetësore publike!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *