E shtunë, 17 Tetor 2026 Trazira në Parajsë deri në 14:00 Në vijim ora 14:00: Diagnozë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Mister motivi i sulmit me tritol në Shkodër, policia dyshon se vrasja e Hysni Ymerit është e porositur

Pesë ditë pas sulmit me tritol në një pallat në Shkodër, ku humbi jetën 67-vjeçari Hysni Ymeri, nuk dihet ende motive i krimit. Megjithatë hetuesit shpresojnë që t’a zbardhin edhe këtë moment, pasi personi që vendosi lëndën eksplozive dyshohet të jetë Gerti Bushati.

Ky i fundit është zbuluar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të instaluara në një biznes pranë pallatit. Ato tregojnë se mbrëmjen e 27 dhjetorit, Bushati vendosi tritolin në boksin e sahatëve të energjisë elektrike, në katin e parë të pallatit.

Reklamë

Lënda shpërthyese u aktivizua dy ditë më vonë, më 29 dhjetor, në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej shkallët e pallatit për të hyrë në shtëpi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Por hetimet dhe analizimi i pamjeve të tjera filmike, bëri që grupi hetimor të zbardhë itinerarin e lëvizjes së autorëve, çka çoi në arrestimin e katër personave: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.

Reklamë

Policia ka ende pikëpyetje mbi motivin dhe porositësin e atentatit.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 28 celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike kokainë, pajisje GPS, kamera sigurie si dhe veshje të përdorura nga autori i dyshuar.

Burime nga policia bëjnë me dije se pak ditë para ngjarjes në Shkodër kishte mbërritur edhe djali i viktimës, Alban Ymeri, i cili jeton jashtë vendit. Ai ka deklaruar para hetuesve se familja nuk kishte konflikte dhe se nuk kishte marrë asnjë kërcënim.

Ndërsa personat e arrestuar kanë refuzuar të japin deklarime. Sipas burimeve, ata janë mbajtur së bashku në një ambient të monitoruar, në përpjekje për të zbuluar identitetin e porositësit të tritolit. Të ndaluarit pritet të dalin para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ditën e hënë.

Vëllai i viktimës, në vitin 1995, në lagjen Kiras, vrau Shefqet Çekorjen. Autori u arrestua dhe u dënua në atë kohë. Disa vite më vonë, sipas burimeve, dy familjet arritën pajtimin. Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u vra në shtator të vitit 2022 pranë banesës së tij.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë