Policia ende nuk e ka pistë hetimi lidhur me ekzekutimin e dy vëllezërve Olldashi, trupat e të cilëve u gjetën të groposur në një kanal në fshatin Zvirinë në Maliq.
Të vetmet prova të grupit hetimor deri në këto momente janë disa gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes por dhe një telefon që mendohet se i përket njërit prej viktimave. Kjo ka ngritur dyshimet se dy vëllezërit, Andrea dhe Martin Olldashi janë qëlluar për vdekje pikërisht në vendin dhe ku u gjetën të pajetë. Sipas hetuesve, autorët kanë shfrytëzuar motin e keq për krimin por dhe terrenin me qëllim humbjen e gjurmëve.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në datën 7 dhjetor, kur dhe dy vëllezërit humbën kontaktet me nënën e tyre. Ata dyshohet se kanë marrë një telefonatë që i ka nxjerrë nga shtëpia, e më pas kanë udhëtuar me një makinë drejt vendit të ngjarjes ku dhe janë ekzekutuar.
Për këtë arsye po kontrollohen nga hetuesit të gjitha thirrjet në telefonin e gjetur, me qëllim zbulimin e telefonatës që ka nxjerrë nga banesa dy vëllezërit.
Deri më tani mësohet se janë shoqëruar 13 persona, kryesisht nga Pogradeci e Maliqi të cilët po merren në pyetje por ende mbeten mister shkaqet e krimit.
Andrea Olldashi 33vjeç dhe Martin Olldashi 31 vjeç, nga Pogradeci u gjetën të pajetë pasditen e të enjtes në një kanal në afërsi të vendit të quajtur “kisha e vogël”. Ata ishin qëlluar disa herë me armë zjarri në kokë dhe gjoks.





