Kryeministri Edi Rama i akordon medaljen për mirënjohje publike liderit historik të socialistëve, Fatos Nanos.

 

Prej disa ditësh ish-kryeministri ndodhet i shtruar në spital, në gjendje të rëndë.

 

Në motivacionin e firmosur nga kreu i qeverisë shkruhet se medalja e mirënjohjes i jepet për kontributin në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik.

 

Kryeministri vlerëson te paraardhësi i tij frymën liberale në drejtimin e vendit edhe në momente të vështira të jetës politike dhe asaj personale.

 

Rama i kërkon qytetarëve që të luten për jetën e nanos për gjithçka të mirë i dha vendit dhe shoqërisë gjatë karrierës së vështirë si kryeministër dhe kryetar i socialistëve.

 

“Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”,shkruan ai.

 

Themeluesi i forcës së majtë në vend dhe ish kryeministri, Fatos Nano po përballet me një periudhë të vështirë shëndetësore, për shkak të problemeve me mushkëritë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *