Subscribe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nderoi me medaljen “Mirënjohja e Qytetit” Kryqin e Kuq Shqiptar në 100-vjetorin e themelimit të tij. Gjatë ceremonisë së posaçme, të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj ka shprehur vlerësimin më të lartë për rrjetin më të madh të vullnetarëve në Shqipëri, si model solidariteti dhe humanizmi.

 

Kryebashkiaku u shpreh se ndihet mirënjohës për kontributin e kësaj lëvizjeje, sidomos pas dy momenteve të vështira që kaloi vendi ynë me tërmetin dhe pandeminë.

 

“Fundi i vitit është një moment për të thënë, – “A jemi ne mirënjohës për njerëzit apo organizatat e qytetit tonë?” – Sidomos në kohë të vështira, ku ne pamë sa të brishtë jemi ndaj tërmetit apo pandemisë, por edhe sa të fortë jemi e sa shpejt ringrihemi nëse ne, shqiptarët, bëhemi bashkë, veçanërisht kur ka lëvizje që na frymëzojnë dhe na motivojnë. Ndaj, do të doja që ky fund i vitit të jetë edhe një moment për këtë lloj reflektimi, jo vetëm sa gjëra të vështira kaluam, por edhe sa e njohëm njëri-tjetrin dhe çfarë fuqie të brendshme kishim si shqiptarë dhe cilat ishin ato energji brenda sojit tone, që na bënë të ringrihemi përtej fatkeqësive. Jam sot shumë i lumtur që Kryqi i Kuq Shqiptar, në vitin e 100-vjetorit si lëvizje, të marrë Mirënjohjen e Qytetit tonë,” u shpreh ai.

 

Veliaj shtoi se viti i ardhshëm do të jetë ideal për të rritur radhët e Kryqit të Kuq, edhe si një hap drejt largimit të të rinjve nga pasiviteti.

 

“Teksa Tirana vitin që vjen do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë, kemi një mundësi fantastike për rekrutim për Kryqin e Kuq në çdo gjimnaz e në çdo fakultet. Kryqi i Kuq ofron një mundësi të shkëlqyer për të qenë i dobishëm, për të qenë pjesë e një rrjeti, për t’u ndjerë pjesë e një misioni, kështu që mezi pres që në 2022, në vitin që Tirana do mikpresë të rinj nga e gjithë Europa, Kryqi i Kuq të jetë pararojë. Do kemi rreth 1000 evente ku do na duhet vullnetari energjik, i dobishëm, i zgjuar, i mençur, i ditur i Kryqit të Kuq,” deklaroi Veliaj.

 

100 vjet më parë, me nismën e intelektualëve të shquar të kohës, si Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Rauf Fico, Sejfi Vllamasi, Ali Këlcyra, Kristo Dako, etj., u themelua në Tiranë Kryqi i Kuq Shqiptar. Sot KKSH është anëtare e Lëvizjes më të madhe humanitare në botë që numëron 192 shoqata të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, me mbi 17 milion vullnetarë të cilët japin kontributin e tyre humanitar në ndihmë të njerëzve më në nevojë, në situata konflikti të armatosur, apo dhe në jetën e përditshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.