Tirana pret sot Sekretarin e Jashtëm të Britanisë, David Cameron, i cili do të takohet sot gjatë ditës me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe ministrin e Jashtëm, Igli Hasani.

Siç duket edhe nga fotot çdo gjë është gati për vizitën e zyrtarit britanik, ndërsa janë vendosur banderola në kryeqytet në nder të David Cameron.

Lexo edhe :

Related Posts

“Mirë se vjen Lord Cameron”, është mbishkrimi i banderolës me foton e David Cameron, e cila është vendosur në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ndërkohë në bulvardin “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur flamuj të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë vizitës së Cameron në Tiranë sot do të diskutohet për luftën kundër emigracionit të paligjshëm, bandave kriminale dhe sekuestrimit të pasurive të tyre.

Sekretari britanik do të takohet sot me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Pas takimit kokë më kokë , Rama dhe Cameron do të zhvillojnë konferencë për shtyp në orën 12:50.

Agjenda e David Cameron përmban edhe një takim me Presidentin Bajram Begaj dhe Ministrin e Jashtëm Igli Hasani.

Të dielën kur edhe mediat britanike zbuluan vizitën e David Cameron në Shqipëri, përfaqësia diplomatike në Tiranë bëri me dije se qëllimi i ardhjes është dyndja e emigranteve në Britaninë e Madhe, mes të cilëve edhe shumë shqiptarë që shkojnë atje në rrugë të paligjshme.

Ky nuk është shqetësimi i vetëm i qeverisë së Londrës. Goditja e grupeve kriminale që merren me trafikun e qenieve njerëzore dhe sekuestrimin e pasurive të tyre është po aq shqetësim, për të cilin lordi David Cameron do të kërkojë ndihmën dhe bashkëpunimin e qeverisë dhe organeve të drejtësisë.

Programi i ri që Sekretari britanik i Jashtëm do të flasë me kryeministrin është edhe ai për mënyrën sesi gjyqësori dhe policia shqiptare do të duhet të përballen me krimin e organizuar e për të çuar përpara reformën në drejtësi.

Prej dhjetorit të 2022-it mes dy vendeve është në fuqi marrëveshja që pikë kryesore ka betejën me emigracionin e paligjshëm të shqiptarëve drejt Anglisë dhe rritjes së investimeve britanike që synojnë të ulin shifrat e braktisjes së vendit nga të rinjtë që kërkojnë një jetë më të mirë në vendin e David Cameron. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *