E premte, 16 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Mirditë/ Kapet duke ndezur tre vatra zjarri, arrestohet 65-vjeçari

Një 65-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mirditë, pasi dyshohet se po ndizte qëllimisht vatra zjarri në zonën e Gziqit.

Policia njofton se operacioni i koduar “Piromani” u finalizua pas një pune gjurmuese tre ditore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se 65-vjeçari merrej me zjarrvënie të qëllimshme.

Reklamë

Në momentin e arrestimit, 65-vjeçari sapo kishte ndezur tre vatra zjarri.

Si pasojë, flakët përfshinë një sipërfaqe pyjore, ndërsa vatrat u vunë menjëherë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me Policinë e Mirditës.

Reklamë

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Piromani”. Pas marrjes së informacionit në rrugë operative dhe ndjekjes në terren për tre ditë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, i shtetasit P. M., 65 vjeç, banues në fshatin Gziq, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.

Në momentin e kapjes, ky shtetas sapo kishte ndezur tre vatra zjarri në fshatin Gziq dhe, si pasojë, u përfshi nga zjarri një sipërfaqe pyjore. Vatrat e zjarrit u vunë menjëherë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është autor i disa zjarrvënieve të tjera të ndodhura në territorin e Bashkisë Mirditë.

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rasteve të tjera të zjarrvënieve, për të cilat ky shtetas dyshohet si autor.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

/vizionplus.tv

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë