Është miratuar me 13 vota pro projektligji për Bordin e Paqes për Gazën, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit.
Vizion Plus mëson se nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim gjatë votimit të këtij projektligji.
Po ashtu mësohet se miratimi i këtij projektligji u bë sipas variantit të propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Pas votimit në Komisionin e Jashtëm, ky projektligj është diskutuar edhe në seancën plenare.
Opozita, pavarësisht votës pro që dha në komision, kërkoi “llogari” se përse kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm në Davos për të firmosur, duke sjellë në vëmendje pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
“Pse kryeministri nuk është në Davos për të firmosur, njësoj si presidentja Osmani, por ndodhet këtu në sallë”, tha kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi.
Por kryeministri Edi Rama, iu përgjigj akuzave të opozitës, pse ai nuk është përkrah Trump në Davos.
“Duhet të bëja një zgjedhje, ti përgjigjesha ftesës së babait apo të prisja vajzën në Shqipëri. Dhe unë zgjodha vajzën me lejen e babait”, tha Rama./vizionplus.tv





