Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ia miratoi dorëheqjen nga posti i deputetit Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të arratisur në Hungari.
Ky i fundit e kishte njoftuar dorëheqjen para pak ditësh, pasi kishte filluar procedura për t’ia hequr mandatin e ligjvënësit me që mungonte më tepër se gjashtë muaj në vendin e punës.
Letrën dërguar parlamentit e kishte shkruar në hungarisht dhe shërbimeve të parlamentit në Shkup iu desh një kohë për ta përkthyer atë.

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut shkruante në letrën e dorëheqjes se në këtë mënyrë dëshironte që të mos i vë në pozitë të vështirë kolegët e partisë së tij VMRO-DPMNE.

Deputetët opozitarë, ndërkohë thanë se zotit Gruevski nuk i ishte lejuar që ta arsyetonte mungesën e tij mbi gjashtë muajshe, duke akuzuar pushtetin për përndjekjen e tij.

Sipas rregullores së parlamentit, Nikolla Gruevski brenda një afati prej tridhjetë ditësh mund të kërkojë pagë në lartësi me rrogën mujore të deputetit në kohëzgjatje prej një viti.

Gruevski u dënua me dy vjet burg nga Gjykata themelore në Shkup për shkak të rolit të tij gjatë një tenderi për blerjen e një makine Mercedes me vlerë prej rreth 600 mijë eurosh për nevojat e tij private dhe zyrtare.

Kundër tij rëndojnë edhe akuza për vepra të tjera penale, por Gruevski ka gjetur strehim në Budapest prej nga vështirë se mund të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut.

Po të martën, parlamenti ia miratoi dorëheqjen edhe deputetit të shumicës parlamentare, Pavle Bogojevski, i cili u gjet nën trysnitë e opozitës dhe të opinionit të gjerë lidhur me një skandal që kishte të bënte me lëndë narkotike, pas një bisede telefonike të publikuar nga një faqe ruse e internetit.

Bogojevski thotë se kishte kërkuar një sasi të vogël vaj kanabisi për efekte shëndetësore për një nga familjarët e tij, por opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja hodhi akuza dhe dyshime se deputeti po përdorte kokainë.

Parlamenti në mënyrë të shpejtë miratoi dy deputetë të rinj në vend të Gruevskit dhe Bogojevskit./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *