Subscribe

Pas një seance maratonë diskutimesh, kuvendi miratoi në orët e para të së premtes, projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2018, me 75 vota pro të maxhorancës, 47 kundër dhe 15 deputete abstenuan.

 

Por cfare përmban ligji më i rëndësishëm financiar i vitit? Buxheti parashikohet në shifrën prej 497mld lekë, një shumë kjo që do të përdoret për paga, investime, pagesa borxhi etj. Ndërsa borxhi publik do të shënojë rënie.

 

Sipas parashikimeve vitin e ardhshëm nuk pritet të ketë rritje pagash në tërësi për administratën, por vetëm për sektorët prioritare, si arsimi shëndetësia, si dhe indeksim për pensionistët.

 

2018 do të shënojë një rritje të ndjeshme të investimeve në infrastrukturë, me një shifër rekord prej 86 mld lekë,  ose 16 % më shumë se viti aktual

 

Investimet do të përqendrohen më së shumti në ndërtim rrugësh, ku parashikohet të përfundojnë disa segmente rrugore të cilat janë ende në proces, si baypass i Fieri dhe Vlorës, rruga e Tiranë – Elbasan etj.

 

Por kryefjala e diskutimeve për këtë buxhet ishte skema e partneritetit publik privat që qeveria do të zbatojë për investimet e mëdha, për të cilat opozita ka shprehur shqetësim se në të do të përfshihen paratë informale që vijnë nga aktivitete të paligjshme.

 

Sa i përket mbledhjes së të ardhurave, ato parashikohen në 464 mld lekë më një zgjerim nga viti aktual me 27 miliard.

 

Këto para shtesë do të vijnë si pasojë e rritjes së disa taksave, por edhe për shkak të miradministrimit fiskal. Vitin e ardhshëm qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë taksën e banesës, tarifën ujit të pijshëm në tiranë,  cigaret, makina e luksit,. Ndërsa 9 mijë biznese do të jenë subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, si pasojë e uljes së kufirit të TVSH.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *