Subscribe

Qeveria miraton buxhetin e rishikuar për vitin 2016-të. Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që nuk preken të ardhurat nga tatimet dhe doganat, por orientimi i fondeve bëhet me rritje. Janë 40 milion dollarë që kanë tepruar në arkën e shtetit në këto 6 muaj, një pjesë e të cilave kanë ardhur si rezultat i ngadalësimit të fondeve të huaja e një pjesë tjetër nga mbledhja e taksave përtej parashikimit. Ministri Arben Ahemtaj, tregon në një intervistë për Vizion Plus mënyrën se si janë rishpërndarë paratë. Sërish është Ministria e Transporteve e cila ka marrë pjesën më të madhe të shpenzimeve në buxhet. 11 milion dollarë janë dhënë për të mbyllur emergjencat në rrugë, por më shumë se kjo shifër, 12 milion, janë dhënë për detyrimet e prapambetura  që transportet kanë krijuar sërish. Arben Ahmetaj thotë se nuk do të tolerojë më një situatë të tillë. Kreu i financave është i hapur për opozitën, nëse ajo do të materializojë në një nisëm ligjore idenë për të kryer një amnisti të kapitaleve për biznesin dhe individët që nuk kanë deklaruar pasurinë reale të tyre. Ai thekson se nëse kjo bëhet, kusht do të jetë që nga ligji të përjashtohen zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë. Në shtator Ministria e Financave po përgatitet për të miratuar paketën e re për thjeshtimin e procedurave për biznesin dhe faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore kundrejt pagesës së një pjese të tyre. Kjo thotë ministri i Financave do të përmirësojë klimën e biznesit, por po ashtu do të rritë edhe aktivitetin ekonomik të tyre. Ai shprehet se është i bindur se ekonomia këtë vit do të rritet me 3.4%.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *