Miratimi i Kodit Zgjedhor/ Varhelyi: Është një çështje madhore, do ta ndjek nga afër vetë

Komisioneri për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi deklaroi se do të angazhohet vetë për të zgjidhur problemin e krijuar me Kodin Zgjedhor. Ndryshimet në Kod u votuan nga mazhoranca, por opozita nuk është e kënaqur. Duke e cilësuar një çështje madhore, Varhelyi tha se do ta ndjekë vetë nga afër atë. Ai shtoi se duhet të bëhet kujdes me çështjen e koalicioneve pas zgjedhjeve.
“Mua më është thënë se është një çështje madhore në Tiranë dhe do përpiqem ta shoh me vëmendje vetë. Në 5 qershor u arrit një marrëveshje shumë e mirë që u pranua dhe nga OSBE/ODIHR. Përparësia ime vazhdon të jetë që ne të kemi opozitën në parlament dhe koalicionin, që të bien dakord për reformën zgjedhore. Sa i përket arritjes së koalicioneve është se për aq kohë sa ligji nuk i ndalon krijimin e koalicioneve pas zgjedhjeve mendoj se ne mund të shikojmë një zgjidhje në mënyrë të favorshme. Nëse parandalojnë koalicionet pas zgjedhjeve do thosha që do ti mendonim gjërat më mirë. Dua të angazhohem me autoritet shqiptarë me qeverinë, opozitën dhe opozitën jashtë parlamentare nëse kjo çështje do pengonte konferencën e parë ndërqeveritare.”




