Njoftimet e Rusisë për tërheqjen e trupave të saj nga kufiri ukrainas janë “shpresëdhënëse”, por fjalët duhet të ndiqen nga veprat, tha për DW ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht.

 

Qeveria ruse pretendon se ka filluar tërheqjen e pjesshme të trupave në kufirin ukrainas. Ministria e Mbrojtjes në Moskë njoftoi se tanket po përgatiten për t’u larguar pas përfundimit të manovrave. Po ashtu u publikua edhe një fotografi përkatëse. Qeveria amerikane e konsideron tërheqjen e pjesshme të trupave ruse të njoftuara nga Moska për të shtensionuar krizën në Ukrainë si informacion të rremë.

 

Qeveria amerikane supozon madje se Rusia ka dislokuar edhe më shumë trupa ditët e fundit. Shtëpia e Bardhë flet për 7000 ushtarë shtesë. Edhe NATO është e një mendimi të ngjashëm në pikëpamje. Në selinë e NATO-s në Bruksel diskutuan për këtë ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të aleancës.

 

Lambrecht: Fjalët duhet të pasohen nga vepra

 

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht nuk sheh arsye për të ulur shkallën e alarmit dhe për t’u qetësuar. “Dëgjojmë fjalë që na ngjallin shpresë. Kjo është e drejtë, por ne duhet të shikojmë nga afër, nëse këto fjalë pasohen nga vepra dhe, mbi të gjitha, sa të qëndrueshme janë këto veprime,” tha Lambrecht në Bruksel.

 

E rëndësishme është që Rusia të tërheqë trupat që janë vërtet të nevojshme për një sulm. “Nuk mund të supozohet që një gjë e tillë mund të përfundojë brenda pak orësh”, pranoi ministrja, por ne kemi nevojë për “prova të qarta” për shtensionimin e gjendjes. “Ne ende nuk shohim prova dhe lëvizje të lira.”/DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *