Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi foli sot në parlament rreth projektiligjit “Për krijimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, duke e quajtur një domosdoshmëri për kohën, kur zhvillimet e vrullshme të teknologjisë janë pasuar me transformime rrënjësore në shumë sektore.

 

Duke vlerësuar lidhjen që ka ky ligj me shtyllën apo misionin e tretë të universiteteve, i cili është transferimi i njohurive përtej mjediseve universitare, Kushi vuri në dukje kontributin që mund të japë në zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik të komuniteteve.

 

Nëpërmjet këtij projektligji i hapet rruga ndërtimit të strukturave apo bizneseve afër universiteteve që më pas mund të shfrytëzohen nga studentët për praktika pune apo praktika mësimore. Biznesi mund të ketë akses në objektet universitare, bibliotekat dhe teknologjitë sipas procedurave.

 

Kushi duke dhënë shembullin e mirë të Marrëveshjes me Universitetin e Barit “Aldo Moro” dhe Qendrën e Studimeve Agronomike me pesë universitete shqiptare, tha se kjo ka në fokus nxitjen e bashkëpunimit midis universiteteve dhe industrisë.

 

Nga ana tjetër, universitetet do të mund të siguronin shërbime që ofrojnë mbështetje në fusha si planifikimi shkencor, inxhinierik, financiar, tatimor, menaxherial dhe biznesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *