Subscribe

Shqipëria turistike është kryefjala, që po mbizotëron në çdo media dhe event ndërkombëtar. Është  një kapitull i ri që ka nisur për Shqipërinë, duke tërhequr vëmendjen e mbarë botës, për perfomancën e të gjithë zinxhirit turistik në vendin tonë. Sezoni duket se ka nisur më herët se vitet e tjera dhe parashikimet janë që ka 40% më shumë prenotime se një vit më parë.

“Nuk është objektiv shifra prej 14 milion turistësh. Operatorët thonë që në janar kanë 40 % më shumë kontrata të lidhura se 2023. Por nuk është shqetësimi im numrat. Madje edhe sikur numrat të qëndrojnë njësoj si një vit më parë. Qëllimi është që ata që do vijnë të ikin  me ndjesi të  mira, pra të kthehen. Objektivi i dytë është të rrisim masën e mobilizimit të policisë, shëndetësisë, të bashkive, është një kompozim i kaq shumë faktorëve se askush nuk ia del dot  vetëm. Kjo është sfida, ata që ikin të bëhen ambasadorët tonë më të mirë. Unë i gëzohem rezultateve, por kjo nuk përkthehet qetësim. Për ne përkthehet në netë të tëra pa gjumë për të ofruar një sezon të mbarë”, tha Kumbaro gjatë intervistës për emisionin E-ZONE

Për herë të parë, çdo investitor i huaj do të ketë një udhërrëfyes me të gjitha informacionet e nevojshme ekonomike për të investuar në turizëm. Është një panoramë me lehtësitë dhe mundësitë që ofron vendi për të qenë  prezent në këtë treg.

“Ky është një produkt, që OBT e ka ndërtuar për disa vende, që konsiderohen destinacionet të reja në turizëm. Janë ekspertët e OBT që e kanë hartuar këtë udhërrëfyes për të prezantuar potencialin e Shqipërisë, pse ja vlen të investosh në turizëm. Janë të gjithë të dhënat krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, parametra që një investitorë  i merr parasysh para se të marrë vendim  për të investuar”, tha Kumbaro.

Një vit më parë të ardhurat nga ky sektor arritën në 4.2 mld euro, nga 2.8 që  ishte kjo shifër në 2022.  Ndërsa turizmi po njeh një rritje të pashembullt, sfida më e madhe mbetet realizimi i investimeve në harmoni me natyrën dhe mjedisin, resurse që e bëjnë Shqipërinë të spikasë mes vendeve turistike./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *