E mërkurë, 7 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 02:00 Në vijim ora 02:00: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Ministrja Balluku në Forumin Global të Transportit: Shqipëria në listën e vendeve të zhvilluara përmes projekteve strategjike të ndërlidhjes

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në Forumin Global të Transportit dhe Ndërlidhjes, i zhvilluar nën kujdesin Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe nën ombrellën e qeverisë turke.

Ngjarja, e cila mblodhi rreth 70 ministra nga e gjithë bota dhe delegacione të shumta ndërkombëtare, u fokusua në zhvillimet më të fundit në fushën e transportit multimodal, teknologjive të avancuara dhe sfidave globale që lidhen me ndërlidhjen infrastrukturore.

Reklamë

Në fjalën e saj, Balluku theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar në projektet infrastrukturore, duke përmendur elektrifikimin e hekurudhave, zhvillimin e flotave të automjeteve elektrike, portet e gjelbra dhe lidhjen me portet e thata si investime me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe sigurisë globale.

“Transporti nuk ka më kufij. Projektet me përfitim rajonal dhe ndërlidhja ndërkontinentale janë në shërbim jo vetëm të ekonomisë dhe tregtisë, por edhe të qytetarëve,” deklaroi Balluku.

Reklamë

Ajo prezantoi gjithashtu progresin që Shqipëria ka bërë në sektorët e transportit rrugor dhe aviacionit civil, si dhe projektet madhore që po transformojnë infrastrukturën portuale të vendit. Sipas saj, këto zhvillime kanë bërë që Shqipëria të pozicionohet tashmë në listën e vendeve të zhvilluara në aspektin e ndërlidhjes strategjike.

“Forumi ishte një thirrje e fortë për bashkëpunim të thelluar ndërkombëtar, në një kohë kur siguria është kthyer në prioritetin kryesor të çdo qeverie. Në këtë kontekst, transporti multimodal është kthyer në një element kyç dhe jetësor,” shtoi Balluku.

Forumi u konsiderua një platformë e rëndësishme për shkëmbim përvojash dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të sfiduar nga krizat globale.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë