Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar prezencën e variantit Delta në Shqipëri. Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë, theksohet në njoftimin e Ministrisë.

 

Për pasojë, Ministria apelon qytetarët të vaksinohen sa më shpejt dhe të respektojnë masat e vendosura anti-Covid.

 

“Vaksinimi, shpëton jetë!  Vaksinat veprojnë, ato reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet. Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit. Ministria e Shëndetësisë i drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë rigorozisht masat parandaluese: Vetëkarantinimin paraprak në rastet kur keni shenja të virusit Covid19 apo nëse keni patur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus.  Ftojmë qytetarët të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim dhe të zbatojnë udhezimet e mjekut për protokollin e ndjekjes dhe trajtimit. Për çdo emergjencë shëndetësore kontaktoni në numrin unik 127 me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *