Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në vend, ndërsa aktualisht vetëm dy prej tyre vijojnë të jenë nën monitorim. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se nuk raportohet asnjë vatër problematike që të paraqesë rrezik për zonat e banuara.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale. Në mbështetje të strukturave vendore kanë ndërhyrë edhe 65 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse të FA-së, 2 helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në Dajt, zjarri është fikur dhe zona vijon të mbahet në monitorim nga strukturat vendore, ndërsa në Priskë zjarri është shuar plotësisht.
Në Çikallesh dhe Leshtej-Collak, në bashkinë Kavajë, operacioni për shuarjen e zjarrit ka përfunduar pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse nga disa bashki dhe mbështetjes nga ajri. Edhe në Mushnik, bashkia Rrogozhinë, zjarri është shuar.
Në Mallakastër, në zonën Ndrenie–Vlosh–Panahor, vijon operacioni për fikjen përfundimtare të vatrës. Zjarri mbetet aktiv nën kurorë në krahun verior, ndërsa situata po mbahet nën monitorim.
Në Plan të Bardhë, bashkia Klos, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së 5 automjeteve zjarrfikëse, 26 efektivëve të MZSH-së, forcave të Policisë, strukturave bashkiake, vullnetarëve, OSHEE-së dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, zjarret në Kostren 2, bashkia Berat, dhe në Uruçaj, bashkia Peqin, janë shuar plotësisht. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, edhe vatrat e tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit janë neutralizuar nga strukturat operacionale.
Aktualisht, dy zona vijojnë të jenë në monitorim, ndërsa nuk raportohet asnjë vatër problematike që të përbëjë rrezik për banorët.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe qëndrojnë në gatishmëri për ndërhyrje në rast të ndonjë riaktivizimi të mundshëm.




